Sot dalin në shitje 16 mijë bileta për sfidën Kosovë – Kroaci

Rreth 16 mijë bileta do të jenë në shitje nga dita e mërkurë (sot) deri më 6 tetor, kur Përfaqësuesja e Kosovës do ta zhvillojë ndeshjen e dytë eliminatore për kampionatin botëror “Rusia 2018” kundër Kroacisë, shkruan sot Koha Ditore.

Vetëm një sasi e vogël e biletave do të dalin në shitje para stadiumit “Loro Boriçi” në Shkodër në ditën kur Kosova do të luajë kundër Kroacisë.

Pjesa tjetër e biletave do të dalë në shitje nëpër të gjitha filialet e “MoneyGram” në Kosovë. Bileta më e lirë do të kushtojë 7 euro, kurse VIP bileta 130 euro. Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë do të luhet më 6 tetor në Shkodër dhe nis në orën 20:45. Për Kosovën kjo do të jetë ndeshja e dytë eliminatore dhe e para si vendase. Por, meqë nuk ka një stadium të hairit, ndeshjen do ta luajë në Shkodër.

Në ndeshjen e parë eliminatore Kosova barazoi me Finlandën në Turku.

“Nga mëngjesi i së mërkurës shikuesit që dëshirojnë ta përcjellin ndeshjen e Kosovës kundër Kroacisë do të kenë mundësi që t’i blejnë biletat. Biletat do të jenë në shitje në të gjitha pikat e ‘MoneyGram’ në të gjithë Kosovën. Vetëm një sasi e vogël e biletave do të lëshohen në shitje në ditën e ndeshjes në Shqipëri. Besoj se gjithçka do të shkojë në rregull dhe pritjet nuk do të jenë të gjata për një biletë, pasi ka shumë pika ku mund t’i blejnë”, ka njoftuar të martën nënkryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button