Bartja e shamisë në shkolla, mes vendimit politik dhe përcaktimit individual

Lejimi i mbajtjes së shamisë për femrat e besimit mysliman në shkollat fillore dhe të mesme është rikthyer si një temë diskutimesh në Kosovë, shkruan REL.

Debatet kanë nisur që para gjashtë viteve, kur fillimisht ishte vërejtur një numër i nxënëseve që kishin vendosur shaminë, teksa ishin ende duke vijuar shkollimin e ulët apo të mesëm, dhe më pas ishte Ministria e Arsimit që kishte lëshuar një udhëzim administrativ që ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Një vajzë, me inicialet A. I., nga Gjilani, (identiteti i së cilës është i njohur për redaksinë) ka tri vite që ka mbuluar kokën e saj me shami. Ajo tregohet e vendosur kur bëhet fjalë për të drejtën e mbajtjes sëshamisë në shkollë, ndërsa thekson se kjo gjë duhet lejuar të gjithëve që e ndjejnë si nevojë për të përmbushur, siç shprehet ajo, obligimin e një myslimani.

“Shaminë e mbaj që kur i kam pasur 15 vjet, që gati tre vjet. Nuk ma ka imponuar askush, e kam bërë me vetë dëshirë. Kam pasur probleme kur e kam vendosur shaminë, pasi që familja ime e ka kundërshtuar këtë, ngase në familjen tonë askush nuk mban mbulesën fetare. Edhe në shkollë nga disa jam paragjykuar. Por, unë mendoj që çdo femër myslimane e ka obligim të mbajë shaminë. Unë i jam përkushtuar fesë myslimane, kam lexuar edhe Kuranin”, thotë ajo.

Krejt ndryshe mendon J.S. nga Prishtina, për të cilën mbajtja e shamisë në shkollë të mesme nuk do duhej toleruar, për shkak të moshës së re të nxënësve që vijojnë mësimin e mesëm.

“Bartja e shamisë nëpër shkolla fillore dhe të mesme parqet problem për shoqërinë dhe ata fëmijë, pasi që ata janë ende nën moshën 18 vjeç dhe nuk e kanë moshën e pjekurisë për ta ditur se a dëshirojnë të mbajnë shaminë. Ata mund të ndikohen prej shoqërisë, familjes apo rrethit për bartjen e mbulesës”.

“Unë mendoj që duhet të ketë bazë ligjore dhe duhet të jetë e rregulluar kjo çështje që të mos i lejohet bartja e shamisë deri në momentin kur përfundojnë shkollën e mesme. Pastaj në universitet është e drejtë e secilit, pasi që konsiderohet të kenë arritur moshën madhore dhe konsiderohen se është rrugë që ata kanë vendosur vet ta zgjedhin”, thekson ajo.

 

Së fundi, ish- lideri i subjektit opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për mediet lokale në Kosovë, ka ri aktualizuar çështjen e bartjes së shamisë. Ai ka deklaruar se subjekti politik Vetëvendosje është “për bartjen e shamive prej moshës 16 vjeçare dhe me fytyrë të zbuluar”, për ato femra që vendosin vet të bartin shaminë.

Kushtetuta e definon Kosovën si shtet demokratik dhe laik, me shoqëri multi-etnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, besimet fetare të të cilave janë të ndryshme.

Në vitin 2010, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës kishte nxjerr një Udhëzim Administrativ, i cili ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Ky udhëzim, në atë kohë, kishte nxitur reagime të mëdha të përkrahësve të idesë për mbajtjen e shamive nëpër institucione publike.

Ata patën protestuar kundër ndalimit të shamisë në shkollat publike të Kosovës dhe kishin kërkuar nga ish kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, që të shfuqizohet një vendim i tillë.

Ky udhëzim administrativ, sipas zyrtarëve të arsimit, nuk ka ndonjë efekt që nga momenti kur në vitin 2011 në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar ligji për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës.

Faton Fetahu, këshilltar ligjor i Ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se në bazë të ligjit nuk përcaktohet e drejta për të bartur shaminë ose cilindo simbol fetar.

Ai thekson se shkollat publike në Kosovë janë të ndara në raport me qëndrimet fetare apo me simbolet të cilat i prezantojnë qëndrimet fetare.

“Ligji për arsimin parauniversitar përcakton që institucionet publike arsimore duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare dhe nga veprimtaritë tjera të cilat propagandojnë një fe të caktuar, që në rastin konkret nuk është se e mohon, por as nuk e lejon që në shkollat tona të këtë prezantim të një feje të caktuar”, thekson Fetahu.

Bashkësinë Islame të Kosovës thonë se bartja e mbulesës apo shamisë është obligim, përkatësisht detyrim fetar, për gjininë femërore dhe se kjo obligohet nga mosha madhore apo ndryshe, mosha e pubertetit. Kjo moshë thuhet të jetë nga mosha 14- 15 apo 16 vjeç.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button