Mustafa: Demarkacioni, detyrimi përfundimtar për liberalizimin e vizave

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Nju Jork të SHBA-ve.

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me procesin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se çështja është shumë qartë. “Ne duhet t’i përmbushim detyrimet të cilat i kemi dhe detyrimi përfundimtar që tani ka mbetur që ta përmbushim është ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi . Është një çështje e cila është e patejkalueshme sa i përket përfaqësuesve të Bashkimit Evropian. Por, mund t’ju them se kjo çështje nuk është diskutuar vetëm nga ta, kjo çështje na është shtruar gati në të gjitha takimet që i kemi pas”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Nju Jork, u takua me Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland. Sipas njoftimit për media, Mustafa e njoftoi për progresin në Kosovë si dhe për zhvillimet e fundit që lidhen me proceset integruese euroatlantike, fuqizimin e shtetësisë e subjektivitetit ndërkombëtar si dhe për zhvillimin e gjithmbarshëm të vendit.

Duke shprehur mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e deritashme, Mustafa theksoi përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve bilaterale me SHBA-të, si partneri kryesor strategjik i Republikës së Kosovës. Ndihmës Sekretarja Amerikane e Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën. Gjatë ditës, në selinë e Kombeve të Bashkuara, kryeministri Isa Mustafa ka takuar edhe ministren e Punëve të Jashtme të Kolumbisë, Maria Angela Cuellar, ku shprehu përkushtimin e Kosovës për fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, duke kërkuar përkrahjen e Kolumbisë për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Kryeministri Isa Mustafa ka marrë pjesë edhe në pritjet e organizuara nga Organizata e Bashkëpunimit Islamik si dhe nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku ka ta kuar përfaqësues të shumë shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, duke kërkuar përkrahjen e tyre për Kosovën. “Agjenda jonë ka të bëjë me forcimin e subjektivitetit shtetëror të Republikës së Kosovës dhe njohjen e Kosovës nga më shumë shtete sa që e kanë njohur deri më tani. Pastaj, vënia e marrëdhënieve bilaterale me shtete të cilat e kanë njohur Kosovën por akoma nuk kemi vendosur marrëdhënie bilaterale dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare”, tha kryeministri Mustafa. Duke folur për përkrahjen e ofruar nga SHBA, kryeministri Mustafa tha se ka pasur takime edhe me përfaqësuesit e Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku ka ardhur në shprehje interesimi i përhershëm për Kosovën, transmeton Koha.net

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button