Kerry: të shohim se çfarë do të thonë rusët për armëpushimin në Siri

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në lidhje me çështjen nëse do të vazhdojë apo jo armëpushimi në Siri, deklaroi se “Armëpushimin e bënë rusët, jo sirianët. Rrjedhimisht, duhet të shohim se çfarë do të thonë rusët”.

Kerry, ka folur në një deklaratë për përfaqësuesit e mediave në lidhje me armëpushimin në Siri, para takimit në New York me Princin Trashëgimtar të Arabisë Saudite, Muhamed bin Nayif.

Në pyetjen se “A i është përgjigjur Rusia thirrjes suaj për zgjatjen e armëpushimit, apo ndoshta armëpushimi ka përfunduar ashtu siç pohojnë sirianët?”, Kerry u përgjigj: “Armëpushimin e bënë rusët, jo sirianët. Rrjedhimisht, duhet të shohim se çfarë do të thonë rusët. Megjithatë, kjo është pika e rëndësishme: Rusët duhet ta kontrollojnë Asadin, i cili vazhdimisht po bombardon shumë vende, përfshirë edhe autokolonat e ndihmave humanitare. Tani do të presim, të shohim dhe do t’i mbledhim të dhënat. Duhet të shohim se ku jemi që në bazë të kësaj të bëjmë një vlerësim. Sidoqoftë, në këtë pikë nuk i posedojmë të gjitha të dhënat.”

Kerry, në lidhje me pohimin se “armëpushimi ka mbaruar”, vlerësoi se “para se të flitet për media, fillimisht duhet të flitet me palët e armëpushimit”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, John Kirby, më vonë bëri një deklaratë me shkrim, në të cilën tha se “I shohim disa deklarata që i atribuohen ushtrisë së Sirisë. Marrëveshja jonë është me Rusinë, e cila mban përgjegjësinë që regjimi i Asadit ta respektojë marrëveshjen. Rrjedhimisht, presim që rusët ta qartësojnë pozicionimin e tyre.”

Ndryshe, u njoftua se ndërsa ushtria e Sirisë deklaroi se armëpushimi shtatëditor i cili filloi të hënën e kaluar “mbaroi”, në të njëjtën ditë helikopterët e regjimit organizuan sulme me bomba fuçi ndaj autokolonës së ndihmave humanitare në zonën rurale perëndimore të Halepit që ndodhet nën kontrollin e opozitarëve, si pasojë e të cilit humbën jetën disa persona, kurse 20 kamionë morën flakë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button