Koreja nuk ndalet, pas provës bërthamore tani teston dhe motorin e ri për raketa

Koreja e Veriut ka testuar motorin e ri të një rakete ndërsa lideri i vendit Kim Jong Un ka urdhëruar të bëhen përgatitjet për të lançuar një satelit, raporton Anadolu Agency (AA).

Agjencia zyrtare e Koresë së Veriut, KCNA, bëri të ditur se lideri Kim Jong Un, në Qendrën Hapësinore Sohae në veriperëndim të vendit, e ka drejtuar provën tokësore të motorit të një rakete transportuese e cila do të hedh një satelit.

Më tej thuhet se Kim ka urdhëruar se ”kur armiqtë përpiqen që me sanksione të rrepta të vënë Veriun nën presion”, shkencëtarët dhe zyrtarët në kohën e mundur më të shkurtër të përfundojnë përgatitjet për lançimin e satelitit.

Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm të Koresë së Jugut, Jeon Ha-kyu, deklaroi që besohet se prova është kryer me një motor të zhvilluar për një raketë të re me rreze të gjatë veprimi.

Më 9 shtator Koreja e Veriut ka kryer provën e pestë bërthamore. Pas kësaj zyrtarët e Koresë së Jugut dhe SHBA-të paralajmëruan se Veriut do t’i vendosen më shumë sanksione.

Ushtria jugo-koreane deklaroi se kjo është prova më e madhe e qeverisë së Phenianit dhe se testimi me fuqi 10 kiloton ka shkaktuar dridhje të tokës prej 5.3 ballë.

– Kina dhe SHBA-të dakordohen për bashkëpunim –

Ndërkohë, njoftohet se pas provës së fundit SHBA-të dhe Kina janë dakorduar për bashkëpunim kundër programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Kryeministri i Kinësë, Li Keqiang dhe presidenti i SHBA-ve, Barrack Obama, zhvilluan një takim në New York në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë, bëhet e ditur se të dyja vendet kanë dënuar provën e fundit bërthamore të Phenianit dhe kanë rënë dakord për bashkëpunim më efektiv në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së dhe në ”kanalet ligjore”.

Madje, theksohet se në takim janë trajtuar edhe temat siç janë marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-ve dhe Kinës, ndryshimet klimatike dhe çështje të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button