Maqedoni, grupet dhe komisionet punuese në Kuvend formohen për të mos zgjidhur problemin
Të hënën u formua grupi i punës në Parlamentin e Maqedonisë i cili do të punojë për zgjidhjen e problemit të njësive zgjedhore në Maqedoni të cilat tejkalojnë numrin e votuesve duke shkelur kështu Kodin Zgjedhor, njofton Portalb.mk.
LEXO: Shkup, grupi punues do të balancojë njësitë zgjedhore në Maqedoni
Njohësit e rrethanave politike në vend në deklaratat e tyre për Portalb.mk shprehen skeptik sa i përket formimit të grupit të punës në Kuvend për balancimin e njësive zgjedhore.
Analisti Selim Ibraimi cilëson se jeta parlamentare dhe politike e Maqedonisë ka qenë e mbushur me komisione dhe nën komisione duke mos ofruar zgjidhje konkret e adekuate.
“Në rastin konkret me këto njësi zgjedhore banorët kanë votuar me vite. Sipas kësaj del që balancimi është i vonuar dhe me këto votues është manipuluar në të kaluarën. Aspekti tjetër është numri dhe si do të arrihet deri në një balancim. Mos bëhet fjalë për taktizime politike para zgjedhjeve? Në planin sistematik zgjedhor,kjo është absurde se si zgjidhen deputetët në njësitë zgjedhore. Partitë shqiptare si duket janë vonuar me idenë e njësive,pasi ky problem daton më herët. Me afrimin e zgjedhjeve,patriotizmi dhe ethet e nacionalizmit janë shtuar tek drejtuesit partiak. Tani edhe propozimet e grupeve parlamentare do të jenë sikur kjo e fundit. Mbetet të shpohim realisht se si do të perceptohet nga komuniteti ndërkombëtar ky propozim”, tha për Portalb Selimi.
LEXO: Zgjedhjet e 11 dhjetorit janë jo-ligjore nëse nuk balancohen njësitë (DOKUMENT)
Organet e tilla, zakonisht, sjellin huti tek popullata, vlerëson politikologu Argjend Çilafi.
“Nuk është e rastësishme se pikërisht tani aktualizohet korrigjimi i njësisë së gjashtë zgjedhore, edhe pse ka disa vite që kjo njësi është “problematike”. Shtrohet pyetja se ku ishin partitë shqiptare në zgjedhjet e kaluara kur duheshe revidimi i kufijve të njësisë 6-të, apo atëherë ishin të zënë me problemet jetike si “gjuha, universiteti, …”. Mendojë se së shpejti probleme do të hapen edhe në zonën 1 dhe 2, edhe në këto zona do të kemi humbje të deputetëve shqiptarë. Që do të thotë se partitë deri më tani e kanë sjellë në këtë gjendje përbërjen e njësive zgjedhore”, deklaroi për Portalb Çilafi.
Dhe tani, shton ai, tendenca e partive që nëpërmes grupeve parlamentare të vendos për balancimin e njësive zgjedhore ngjall shumë skepticizëm, duke shtuar këtu fatet e trupave kuvendore për zgjidhjen e ndonjë problemi.
Formimi i grupit të punës nisi me shumë të panjohura
Nga BDI thanë që në takimin e parë të grupit do të shpalosin propozimet e tyre, duke mos i bërë publike në opinion.
Rafis Aliti nga BDI-ja tha se grupi do të merr në konsideratë propozimet e gjitha partive dhe në fund do të del me zgjidhje konkrete dhe ndryshim të Kodit Zgjedhor. Ai nuk shpalosi cili është qëndrimi i BDI-së për balancimin e njësive zgjedhore.
PDSH, publikisht shprehu qëndrimin në opinion.
Imer Aliu nga PDSH-ja i zbuloi kërkesat e partisë së tij me qëllim të barazimit të votës së qytetarëve.
“Kërkesa e parë e jona është që të bëhen ndryshime në pjesën që ka të bëjë me përqindjen e lejuar të tejkalimit të numrit të votuesve në njësitë zgjedhore, nga 5 që është tani të bëhet në 1. Kjo mundëson garantim të barazisë së votës në Maqedoni. Tani si që është kjo dispozitë ,në masë të madhe janë dëmtuar shqiptarët dhe autorët e kësaj dispozite janë BDI, VMRO dhe LSDM. Nëse ky propozim nuk pranohet ne do të kërkojmë ndryshim të kufijve të të gjitha njësive zgjedhore në Maqedoni, ndërkaq nëse edhe kjo nuk pranohet ne propozojmë ndryshim të numrit të deputetëve nëpër njësi zgjedhore. Për shembull nëse tejkalohet numri i votuesve në njësinë 6, ne kërkojmë që njësia 6 në proporcion me numrin e votuesve të nxjerrë më shumë deputetë”, tha Aliu
VMRO-ja nuk sheh disbalancë në njësitë tjera por vetëm në Njësinë numër 6, andaj sipas Ilija Dimovskit, nuk duhet kjo të jetë arsye eventuale për mos-mbajtjen e zgjedhjeve.
“Vetëm njësia 6 del nga korniza ligjore, mendoj që nuk është korrekte që në këtë mënyrë si veprojnë partitë tjera, distancohen nga disa procese për mbajtjen e zgjedhjeve” tha Dimovski./Portalb