Kuvendi miratoi ribalansin e Buxhetit për vitin 2016

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në pjesën e pasdites të debatit të sotëm sipas rendit të ditës së seancës së 117-të njëzëri me 82 vota “pro” miratoi ribalancin e Buxhetit për vitin 2016 me të cilin sigurohen 35 milionë euro shtesë për dëmshpërblim të dëmeve nga vërshimet më 6 gusht të këtij viti.

Të ardhurat në Buxhet me ribalanc janë të pandryshueshme dhe mbeten në nivel të projektimit prej 174.291 milionë denarëve. Shpenzimet rriten prej 195,475 milionë denarë në 197.410 milionë denarë, ndërsa rritet edhe deficiti buxhetor prej 3.6 në 4 për qind dhe do të jetë 23.119 milionë denarë, në vend të 21.181 milionë denarë.

Ernad Fejzullahu nga PDSH-ja theksoi se nuk do të kishte vërshime përderisa do të pranoheshin të gjitha amendamentet e tyre në ribalancin e mëparshëm të Buxhetit për vitin 2016 për rregullimin e lumenjve dhe ndërtimin e kanaleve mbrojtëse për ujitje në rajonin e Tetovës, Hasanbegut dhe Haraçinës.

Rexhep Ismaili nga BDI-ja theksoi se ribalansi i Buxhetit është dedikuar për dëmshpërblim të të dëmtuarve nga vërshimet dhe për shkak, deputetët e BDI-së do ta mbështesin ribalancin me të cilin do të kompensohen dëmet nga vërshimet e 6 gushtit.

“Kemi dallim rreth problemit, por nuk ka dallime rreth fakteve se duhet të paguhen mjete të të prekurve nga vërshimet. Ende ka familje që nuk i kanë marrë 30.000 denarë avans për dëmet. Kërkojmë që Ministria e Financave t’ua paguajë”, tha Ismaili.

Ai shprehu kënaqësinë nga fakti se edhe opozita e mbështet ribalancin e Buxhetit.

Krahas kësaj, Qeveria e Maqedonisë është duke diskutuar për propozim/ buxhetin për vitin 2017-të, dy muaj më herët se zakonisht, për shkak të caktimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor të këtij viti.

Partitë opozitare kanë propozuar qe Qeveria të miratojë financim të përkohshëm për shkak të zgjedhjeve të dhjetorit, por ky propozim është shpërfillur nga qeveria, duke vendosur të miratojë buxhet të rregullt.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se pushteti nuk do të heq dorë nga synimi për të miratuar buxhetin e 2017, madje edhe në rast se situata tensionohet, si në ngjarjet e 24 dhjetorit gjatë vitit 2014, me ç`rast me forcë deputetët e opozitës u larguan nga parlamenti gjatë miratimit të buxhetit të shtetit.

Arben Halili, ekspert i ekonomisë, thotë se rishikimi i dytë i buxhetit të Maqedonisë brenda dy muajve dhe projektimi i buxhetit për vitin 2017 bëhet në periudhën kur brenda dy ose tre muajve duhet të mbahen zgjedhjet, andaj destinimi i çdo qindarke në këtë rast matet me peshoren politike dhe jo atë të zhvillimit ekonomik.

“Sigurisht se ky vit do të jetë viti kur sjella e buxhetit do të jetë skajshmërisht e politizuar, ku gjithçka, do të thosha çdo shifër e propozuar në propozim buxhetin, do të jetë shifër e cila do të interpretohet në aspektin politik, varësisht nga tabori që njëra ose pala tjetër përfaqësojnë”, vlerëson Arben Halili.

Ndërsa, Sllobodan Najdovski, ish deputet, profesor i Ekonomisë në Universitetin e Shkupit, thotë se partitë në pushtet për gjatë dhjetë viteve të fundit kanë instaluar sistemin e demonstrimit të forcës kur bëhet fjalë për miratimin e ligjeve ose vendimeve të ndryshme që ndërlidhen me financat, veçanërisht ku miratohet buxheti vjetor i arkës shtetërore ose rishikimet e buxhetit.

“Është instaluar një praktikë që të mos përfillet zëri jo vetëm i opozitës, por i asnjë deputeti i cili mendon ndryshe nga pushteti. Kur bëhet fjalë për miratimin e buxhetit të shtetit, qeveria, e kryesuar nga VMRO DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim, në plan të parë vendosin interesat e kategorive të ndjeshme, siç janë ndihmat sociale, por e vërteta është se realisht për përmirësimin e standardit jetësor ndahen mjete shumë më pak sesa për projektet jokapitale, përmes së cilave përfitojnë gupe të caktuara të strukturave udhëheqëse të shtetit”, thekson Sllobodan Najdovski.

Ai shton se pushteti sjelljen agresive gjatë miratimit të buxhetit të shtetit e amortizon përmes mediave, shumicën e të cilave i ka nën kontroll.

Buxheti i ri duhet të votohet më së voni deri më 12 tetor, datë kur duhet të shpërndahet Kuvendi, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme, të caktuara për datën 11 dhjetor, përderisa opozita maqedonase, Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë, tha se do angazhohet ta bllokojë miratimin e buxhetit për vitin 2017, duke shfrytëzuar të gjithë mekanizmat demokratik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button