Në Kore të Jugut mbahet Samiti më i madh i Paqes në botë

Mbi 150 mijë pjesëmarrës dhe përfaqësues të popujve, shteteve dhe religjioneve të ndryshme janë mbledhur të dielën në stadiumin olimpik të Seulit, në Samitin e Paqes Aleanca Botërore e Religjioneve (WARP), një ndër manifestimet më të mëdha të paqes në rruzull, raporton KOHA.net.

Kosova po përfaqësohet nga zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ministri i FSK-së, Haki Demolli, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, producenti i KTV-së dhe kolumnisti i “Kohës Ditore”, Adriatik Kelmendi, ish-kryetari i GJK-së Enver Hasani etj, raporton KTV.

Me një program shumorësh, që ka përfshirë akrobacione në unison të 12 mijë të rinjve, muzikë dhe vrapim maratonë, janë mbajtur edhe fjalime nga organizatorët e ngjarjes, organizata “Kultura hyjnore, paqja botërore dhe rikthimi i dritës” (HWPL) përfaqësues të qeverive e religjioneve.

“Ka ardhur koha që e gjithë bota, të gjithë njerëzit, të gjitha religjionet të bashkohen si një që t’u jepet fund konflikteve dhe paqja të mbizotërojë në botë. Kjo duhet të fillojë edhe me bashkimin dhe vendosjen e paqes ndërmjet Koresë së Jugut dhe asaj të Veriut, pavarësisht çka flasin qeveritë tona”, porositi Man Hee Lee, kryesuesi i HWPL, organizatë joqeveritare me mbi 100 mijë anëtarë dhe përkrahës dhe zyra në dhjetra shtete.

Ai bëri thirrje që presidentët dhe shtetet ta nënshkruajnë Deklaratën e Paqes dhe Përfundimit të Luftërave, hartuar nga një grup juristësh ndërkombëtarë me mbikqëyrje nga organizata, si pikënisje për nxitjen e OKB-së që ta adaptojë atë në formë të një ligji obligues për shtetet, në emër të arritjes së paqes botërore.

“Nëse liderët e shteteve nuk duan ta mbështesin një ligj të këtillë, atëherë ata liderë nuk janë duke punuar për paqen”, theksoi Hee Lee.

Paralelisht me Samitin e Paqes, i cili po mbahet për herë të dytë në kryeqytetin e Koresë së Jugut, është mbajtur edhe konferenca për zbatimin e Deklaratës së Paqes.

Në mesin e pjesëmarrësve nga shtetet e Ballkanit ndodhet edhe ish-presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, përfaqësues qeveritarë nga Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button