PAS TËRMETIT

1.B hap sytë dhe në sekondat kur habia kalon në frigë instinktivisht kthehet kah unë.

Pa ndryshuar fytyrën i them se ishte një dridhje e vogël. Të dytë njerëz të sabahut jemi, çohemi pas pak, rregullimi para daljes zgjat si rëndom. “Kapelën ndoshta është turp ta vë”? mendoj zëshëm duke shikuar kah komshitë në park. Dalim pa shpejtuar, kapela në vend të vet.

2.Super-goditja e rradhës më gjen në restoran duke blerë “lunch pocket”. Mendimi i parë nënkuptohet, si e çdo nëne. Stampedo, britma çuditërisht s’kishte, vetëm përtoke disa kuleta, syza, një celular që m’u duk shumë i madh…mendova sa do ishte lumturuar ndonjë hajdut. Pa lavdërime, dal ndër të fundit dhe kur dëgjoj zërin e qetë të B në telefon për një çast naivisht mendoj se nuk e ka ndier tronditjen!

3.Buzëmbrëmje e parë bajrami. Në hyrje të Çarshisë së boshatisur nga festa e ndjej dridhjen dhe ehon “si ndonjë radiostacion i rrallë dhe i largët”. Pa koment dhe me shpresë që 17 vjeçari kësaj here vërtet nuk ka regjistruar asgjë, e dinamizoj një çikë muhabetin që të mos të fokusohet tjetërkund.

Një stres më pak – qar.

Më vonë B tregon që i përqëndruar në muhabetin s’ka vërejtur apo dëgjuar asgjë.

…Reagimet individuale ndaj rrezikut të përbashkët nxorrën në pah pikëpyetjet:

Në ç’shkallë jemi “të bërë” dhe në ç’shkallë “bëhemi vetë”?

A përpiqemi që në kushte të zakonshme të jemi në kontakt me veten? Të skalitemi sa të mundemi në formën e duhur ose të dëshiruar?

Kur introspeksionet na bëhen rutinore dhe gabimet provojmë ti kthejmë në leksione – pak a shumë jemi në rrugë të mbarë.

Në ç’shkallë ushtrohet gjakftohtësia nëse nuk e kemi “pjesë të natyrës”?

Nuk e di.

Por tash të gjithë e dimë më saktë se paniku s’është veçse bllokadë mentale.

4.Dhe së fundi rihteri i pasmesnatës më gjeti buzë gjumit ose në gjumë, më saktë në atë vijë të mjegulltë ndërmjet tyre.

Kështu nuk e di a isha duke të menduar apo të shihja ëndërr. Shtrati u lëkund, B vazhdonte të flejë në tjetrin, i patrazuar. Mandej gjithçka u qetësua.

Fjeta duke menduar me pak humor të zi:

“Vdiq duke e ëndërruar atë”.

Deri më atëherë e merrja për metaforë dashurie.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button