85 të vdekur në rrugët e Zvicrës për 6 muaj

Kjo është për 32 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Gjatë po kësaj periudhe rënie ka shënuar edhe numri i atyre që kanë pësuar lëndime të rënda: 1671 veta ose 75 më pak

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2016 nëpër rrugët e Zvicrës kanë gjetur vdekjen 85 persona, që është për 32 më pak se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, njofton Zyra Federale për Komunikacion (ASTRA). Gjatë po kësaj periudhe rënie ka shënuar edhe numri i atyre që kanë pësuar lëndime të rënda: 1671 veta ose 75 më pak se në gjysmën e parë të vitit 2015, transmeton albinfo.ch.

Shikuar me përqindje, numri i viktimave ka rënë për 27 për qind, thuhet në raportin e ASTRA-s të publikuar sot.

13 persona kanë humbur jetën gjatë kësaj kohe në aksidentet me motoçikleta, që është 62 për qind më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Po ashtu rënie ka shënuar edhe numri i të lënduarve rëndë në aksidentet me motoçikleta: 410 ose 97 më pak në krahasim me gjysmëvjetorin e parë të vitit 2015.

10 ngasës të biçikletave kanë humbur jetën gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, që është 4 më pak se në periudhën krahasuese. Ndërsa numri i të lënduarve rëndë ka mbetur afërsisht i njëjtë, 370 veta.

Si njëri ndër faktorët që kanë sjellë uljen e numrit të viktimave, sipas Astra-s është moti jo i mirë në muajt e parë të vitit, përcjell albinfo.ch. Kjo gjë i ka ndaluar për shembull motoristët të bëjnë turet e tyre ose i ka shtyrë të zgjedhin një mjet tjetër transporti.

Rënie ka shënuar edhe numri këmbësorëve të vdekur. Janë regjistruar 21 sish.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button