Killeri çon prokurorët te zyrat e biznesmenit Ilir Karçini

Ndonëse Ilir Karçini ka mohuar çdo akuzë që është ngritur ndaj tij nga policia dhe prokuroria si porositësi i eleminimit të rivalit të tij në biznes,Piro Bare, madje ka mohuar edhe të ketë njohje fare me killerin, tjetër gjë mësohet të ketë rrëfyer Julian Sinanaj para hetuesve të çështjes. Referuar të dhënave që vijnë nga grupi i hetimit bëhet me dije se Julian Sinanaj jo vetëm që ka pranuar njohjen me biznesmenin e gazit, por madje ai ka treguar se është takuar katër herë me të. Grupi i hetimit, duke qenë skeptik me dëshmitë-horror të vrasësit me pagesë, ka vijuar të tentojë faktimin e të gjitha detajeve që kanë dalë prej tij. Julian Sinanaj ka treguar se e ka takuar edhe në zyrën e tij biznesmenin e madje, para se të ndaheshin me të, ai i ka dhënë edhe 50 mijë euro kapar, ndërsa pjesën tjetër të hakut të punës do ta merrte pasi të kishte kryer atentatin. Sërish hetuesit kanë dyshuar në rrëfimin e killerit të ‘penduar’, duke i kërkuar që të faktojë të gjitha detajet që iu ka thënë në lidhje me njohjen me Karçinin. Sinanaj ka marrë prokurorët dhe i ka dërguar në vendin ku janë zyrat e biznesmenit të arrestuar, ndërsa iu ka thënë se edhe foton e parë për të njohur “gjahun” e tij Piro Bare e kishte marrë nga vetë Karçini: “Ai kishte një foto ku kishin dalë së bashku. Preu pjesën e vet dhe më dha mua foton e Bares. Më pas e kemi ndjekur. Herën e parë që e kam parë Baren kam qenë në tavolinë me Andin (Andonin) dhe me Gentin, bëhet fjalë për Ndriçim Gjokonën. Pikërisht atë ditë Andi (Andon Mëhillaj) më tha se këtë njeriun e dua të vdekur”. Kështu iu ka thënë hetuesve Julian Sinanaj, ndërsa nga Vlora ditën e djeshme ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar për “bombën” e që shpërtheu pas zbulimit të mafies së C4-ës me personazhe të gjithë vlonjatë. Kryebashkiaku Shpëtim Gjika ka akuzuar prefektin Besnik Dervishi se aludimet e tij janë të rrezikshme.

Përplasja e krerëve të Vlorës

Arrestimet e ditëve të fundit dhe dëshmitë gati në kufinj të të pabesueshmes nga 31-vjeçari që është vetëkonsideruar killer me pagesë, ka bërë që në deklarata të përfshihen edhe funksionarët e lartë lokalë të Vlorës. Në të vërtet, në rang funskionarësh, Vlora u kthye në epiqendrën sulmeve me mina të telekomanduara, ndërsa Bensik Dervishi, prefekt, dhe Fredo Berberi kryekomunar, u goditën drejt për dejt. Pas një reagimi të menjëhershëm pas arrestimit të inspektorit të INUV të Vlorës, nga ana e prefektit Dervishi, dje ka dalë për mediat edhe vetë kryebashkiaku Shpëtim Gjika, i cili ka replikuar hapur dhe ashpër me Dervishin. Prefekti i Vlorës tha se i dyshuari si porositës i vendosjes së eksplozivit në makinën e tij i përket një “klani’ që mund të prekë nivele të larta, ndërsa Gjika i kërkoi dje prefektit Dervishi që t’i çojë të gjitha pretendimet e tij në organet e drejtësisë: “Prefekti para pak ditësh bëri një deklaratë shumë të rëndë, me ca aludime shumë të errëta e shumë të rrezikshme. Në një dalje publike prefekti ka aluduar për një “klan” që ndodhet pas tentativës për goditjen e tij e të cilin, po sipas tij, ‘e gjithë Vlora e njeh’. Dëshiroj t’i kujtoj z. Prefekt, madje po të dojë, edhe nga pozita e zyrtarit që e ka mbajtur para tij atë post, se ai, si përfaqësuesi më i lartë i qeverisë në qarkun e Vlorës dhe në qytetin e Vlorës, duke qenë se për shkak të detyrës duhet të ketë të gjithë informacionin e nevojshëm e të klasifikuar, nuk mund të flasë me opinione e me llafe rruge, e ca më pak t’i amplifikojë thashethemet e ligësitë, duke i humbur rrugën e duke ia ngatërruar pistat hetimeve që po kryhen”.

Gjika: i përkas klanit të vlonjatëve

Në vijimësinë e deklaratës së tij Gjika është ndaluar edhe tek “klani” në të cilin është akuzuar që bën pjesë, duke saktësuar publikisht se emri i tij po përdoret edhe nëpër tavolina, ndërsa në fund ka bërë me dije se në të vërtet edhe z. Dervishi i përket po të njëjtit ‘klan’ që i përkiste edhe ai vetë: “Pra, z. Prefekt ose e ka këtë informacion për këtë “klan që vepruaka në qytet” (dhe nëse e ka, nuk i takon ta dekonspirojë para mikrofonave të gazetarëve dhe telefonave të opinionbërësve, por ta çojë atje ku ligji e detyron atë dhe çdo qytetar), ose nuk e ka dhe flet me mllefe personale dhe e kthen hatërmbetjen personale në ‘kauzë shtetërore’, duke bërë kështu sërish një shkelje, më së paku të etikës së nëpunësit të shtetit. E sa për ‘klanin’ që ju, z. Prefekt e aludoni si ‘klanin tuaj kundërshtar dhe të drejtuar nga unë vetë’ dhe si të tillë e keni hedhur për konsum tavolinash, ju siguroj se i vetmi klan, të cilit unë i përkas është ‘klani’ i qytetarëve vlonjatë që punojnë me zemër e me mendje për Vlorën, i përkas ‘klanit’ socialist që ka vendosur mes një mijë vështirësive ta rilindë Vlorën dhe Shqipërinë. Dhe ti, mesa di, je pjesë e të njëjtit ‘klan’. Unë dhe ti, sikurse çdo qytetar i ndershëm vlonjat, s’kemi asnjë lidhje okulte me klane mafioze e me celula vrasësish gjakftohtë, qofshin këta edhe ‘të penduar’”- u shpreh kryetari i Bashkisë së Vlorës.

Gjykata lë biznesmenin në burg, policia: 10 mijë euro për “Mëhillajt”

Pronari i kompanisë ‘Primo Gaz’ doli dje para gjykatës për t’u njohur me masën që e njëjta gjykatë shpalli në mungesë ditën e prangosjes së tij, ndërkohë që mësohet se në sallë Ilir Karçini ka shqiptuar vetëm gjeneralitetet e tij. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila po drejton hetimet për grupin e strukturuar kriminal, i cili deri më tani rezulton të këtë porositur dhe kryer gjashtë ngjarje kriminale, raporton se Ilir Karçini ende nuk është marrë në pyetje në lidhje me akuzën për të cilën dyshohet dhe hetohet i akuzuari, i cili është në pozitat e të dyshuarit si porositësi nëpërmjet Mëhillajve i vrasjes me pagesë të Piro Bares. Megjithatë policia thotë se menjëherë pas ndalimit, Karçini ka deklaruar se nuk ka lidhje dhe nuk e njeh Julian Sinanajn, si dhe se nuk e ka kërkuar vrasjen e Bares. Të njëjtën gjë ka shprehur në gjykatë edhe avokati, ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili mësohet se i ka kërkuar gjykatës se i duhet kohë të njihet me dosjen dhe se do ta apelojë vendimin e lënies në burg të klientit të tij. Ndërkohë policia ka publikuar ditën e djeshme fotot e dy kushërinjve Mëhillaj si dhe ka vënë në dispozicion të qytetarëve shumën prej 10 mijë euro-sh për informacion të saktë dhe ka premtuar ruajtje të identitetit.

Lajme të ngjashme

Back to top button