Fillon viti i ri shkollor në Shqipëri, mungesë në tekstet shkollore

Sot fillon viti i ri shkollor për 392 mijë nxënës të arsimit parauniversitar, ku rreth 27 mijë vogëlushë do të nisin klasën e parë, shkruan KOHA.net.

Problemi i parë që po hasin nxënësit, ende pa u ulur në bankat e shkollës, është mungesa e teksteve.

Ditën e hënë, e cila përkoi me festën e Kurban Bajramit, prindërve iu është dashur mbi dy orë t’i kalojnë në radhë në libraritë e shitjes së teksteve shkollore. Por edhe pse ditën e premte Ministria e Arsimit ka siguruar të gjithë prindërit dhe nxënësit se të gjithë do të pajisen me tekste shkollore brenda datës 12 shtator, kjo gjë nuk ka ndodhur.

Gazeta Shqiptare ka kontaktuar sërish me MAS-in për të marrë një reagim në lidhje me mungesën e teksteve, por nuk na kanë dhënë asnjë përgjigje zyrtare.

Të martën nis viti i ri shkollor, i cili u shty pikërisht për shkak të festës së Kurban Bajramit. Megjithatë nxënësit dhe prindërit e kaluan këtë ditë në radhë për të marrë librat e shkollës.

“Kemi rreth një orë që presim për të blerë librat. Shkolla fillon nesër (sot) dhe ende s’jemi pajisur me të gjitha tekstet”, thotë një gjimnaziste e “Ismail Qemalit”.
foto
Fotoja u shkrep dje në një librari në rrugën “Hoxha Tasim”, ku shihet dukshëm përpjekja e fëmijëve dhe prindërve për t’u pajisur me tekstet shkollore. Të interesuar për një reagim nga Ministria e Arsimit pse ka ende mungesa tekstesh, nuk morëm asnjë reagim, edhe pse disa ditë më parë ata sqaruan se mungesat erdhën si pasojë e pullës por të hënën nuk do ketë asnjë mungesë të teksteve shkollore.

“Shtëpitë botuese kanë marrë masat për shpërndarjen e teksteve në çdo shkollë. MAS-i ka kontaktuar me shtëpitë botuese të cilat deri ditën e hënë pritet të përfundojnë pajisjen me tekste në të gjithë Shqipërinë. Qytete të mëdha si Tirana, Elbasani, Durrësi janë pajisur me pjesën më të madhe të teksteve, sidomos me titujt që janë në ribotim, por edhe me tituj të rinj. Shtëpitë botuese janë angazhuar që procesi i shpërndarjes të përfundojë brenda ditës së hënë”, citohet në njoftimin e Ministrisë së Arsimit ditën e premte, më datë 10 shtator, pasi ditën e hënë, edhe pse kontaktuam me Ministrinë e Arsimit, nuk morëm asnjë përgjigje.

Prindërit janë ankuar edhe më parë se pse kanë pritur, ndërkohë që edhe sot nëpër libraritë e shitjes së teksteve shkollore ka pasur radhë të gjata, dhe sërish nuk kanë arritur t’i marrin të gjitha tekstet për fëmijët, pasi vijojnë mungesat.

“Për të blerë librat e djalit që kam në klasë të 6 kam shkuar tri herë nëpër librari duke mbajtur edhe radhë të gjata. Dhe sërish na mungon një prej tyre, libri i gjuhës së huaj, Frëngjishtes”, tregon një prind.

Ndërsa te shkolla 9­vjeçare “Ali Demi” Tiranë, klasat e para kanë marrë vetëm abetaren dhe asnjë tekst tjetër, ndërsa në klasat e tjera ka mungesë të një ose dy teksteve për çdo klasë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button