Përplasje në PPD, aheng apo kongres i jashtëzakonshëm?!

Kongres apo aheng familjar do të jetë kongresi i paralajmëruar për nesër nga një pjesë e PPD-së.
Sipas kreut të PPD-së, Faton Aliti, mbledhja në Shtëpinë e Kulturës në Tetovë për të mbajtur kongresin e shtatë të jashtëzakonshëm të PPD-së është një aheng privat i grupit që nuk ka njohur vendimet e kongresit paraprak, njofton TVM2.

Sipas tij, nisma për një kongres të tillë nis nga ish kreu i kësaj partie, i cili ka nënshkruar shkrirjen e PPD-së në PDSh, duke aluduar në Abduladi Vejselin dhe një zyrtar i lartë në MPJ.

“Kërkojnë emra, mbiemra, bile edhe numrin amzë, vetëm që të shënojnë do lloj listash, duke menduar që t’i japin ndonjë legjitimitet këtij ahengu të nesërm familjar, ashtu e kualifikojmë ne, sepse kongres dihet se si thirret. Thirret me vendim të organeve partiake, gjegjësisht duhet vendimi i Kuvendit qendror”,- tha kryetari i PPD-së, Faton Aliti.

Mirëpo, Nexhat Bexheti ka publikuar vendimin e Regjistrit qendror, me datë 09.09.2016, ku vetë ai qëndron si kryetar i PPD-së. Sipas Bexhetit, kongresi i së shtunës është legjitim.

“Kongresin e kemi legjitim nga vendimet gjyqësore dhe nga anëtarësia e madhe e degëve të shpërndara në gjithë territorin e shtetit. Në Kongres e kanë konfirmuar pjesëmarrjen rreth 700 delegatë nga të gjitha trevat e RM-së, nga degët dhe nëndegët e PPD-së”,- theksoi kryetari i PPD-së, Nexhat Bexheti.

Bexheti njofton se në kongresin e shtatë të jashtëzakonshëm të PPD-së do të zgjidhet kryetari i ri i PPD-së, pas rrëzimit të vendimit nga Gjykata e Apelit në Gostivar.

Nga Partia për Prosperitet Demokratik njoftojnë se do të marrin pjesë edhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të caktuara më 11 dhjetor, edhe pse konsiderojnë se nuk janë plotësuar as kushtet minimale për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button