Greqi, tre viktima nga vërshimet

Së paku tre persona kanë humbur jetën edhe një person llogaritet i zhdukur në vërshimet që kapluan pjesën juglindore të Peloponezit, kumtuan sot autoritetet greke, njofton MIA.

Një grua 62 vjeçare e cila ka pasur probleme me ecjen është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj në fshatin Pidima, në afërsi të Kalamatas, ndërsa një burrë 80 vjeçar ka humbur jetën në fshatin Turia. Nuk ka hollësira për viktimën e tretë. Në vërshime janë mbytur edhe dhjetëra kafshë.

Autoritetet kumtuan se disa fshatra janë ende të izoluara dhe të pakapshme për shkak të rrugëve të vërshuara. Autoritetet lokale kërkuan nga Qeveria të shpallë gjendje të jashtëzakonshme në rajon.

Kryetari i komunës së Kalamatës informoi se niveli i ujit në disa pjesë ka arritur deri në dy metra.

Ndryshe, moti i ligë që filloi dje pasdite e kaploi Greqinë dhe shkaktoi probleme të mëdha në tërë vendin. Reshjet e rrëmbyeshme në pjesët qendrore dhe lindore në Volos vërshuan rrugët dhe shkatërruan linja telefonike disa orë. Furnizimi me energji elektrike, gjithashtu, ishte ndërprerë në Anavros, Nea Dimitriada, Asteria, Agria, Lehonia dhe në fshatrat në jug të Pilios. Në qytetin Pirgos, brigada e zjarrëfikësve ka pranuar rreth 150 thirrje për bodrume dhe hapësira të vërshuara, si dhe për drunjë të rrëzuar në rrugë. Edhe shërbimi i zjarrfikësve në Selanik ka pranuar dhjetëra thirrje për shtëpi dhe objekte të vërshuara në disa pjesë të qytetit. Reshjet gjithashtu kanë shkaktuar shumë aksidente komunikacioni.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button