Papa nesër shenjtëron Nënë Terezën, lutje edhe në gjuhën shqipe

Nesër, në orën 10.30, Papa do të kryesojë, në Sheshin e Shën Pjetrit, Meshën e Shenjtërimit të Nënë Terezës së Kalkutës, njofton Radio Vatikani.

Kremtimi radhitet në kuadrin e Jubileut të veprimtarëve dhe vullnetarëve të Mëshirës. Dje, në një telegram, me nënshkrimin e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Pietro Parolin, dërguar atë Bernardo Cervellera-s, me rastin e një simpoziumi kushtuar nga AsiaNews Shenjtores shqiptare, organizuar në Romë, pranë Universitetit Papnor Urbanian, Papa e quajti Nënë Terezën “dëshmitare e zgjedhur e dashurisë dhe e vëmendjes bujare për të varfërit e të fundmit”.

“Uroj që shembulli i saj – pohon më tej Papa – të ndihmojë për ta çuar gjithnjë më shumë Krishtin në qendër të jetës e ‘për ta jetuar bujarisht Ungjillin e Tij, përmes ushtrimit të vazhdueshëm të veprave të mëshirës, për të qenë ndërtues të një ardhmërie më të mirë, të ndriçuar nga drita e së Vërtetës. Françesku na nxit t’i ngjasim Shenjtores shqiptare, për të vënë në jetë “Revolucionin e dhembshurisë”, nisur nga Jezu Krishti me dashurinë dhe parapëlqimin e më të vegjëlve.

E gjatë Meshës së shenjtërimit besimtarët do të luten për të varfërit dhe të fundmit e tokës, e edhe për të krishterët që, duke ndjekur shembullin e Nënë Terezës, të vihen në lëvizje nga dashuria veprimtare.

Në gjuhën bengali do të thuhet një lutje për qeveritë e parlamentet, që të mbrojnë jetën dhe dinjitetin e çdo njeriu, duke promovuar paqen e drejtësinë.

Në gjuhën kineze do t’i lartohet Zotit lutja për të krishterët e persekutuar, që Ai i Lumi t’i ngushëllojë me praninë e Tij, t’u prijë në natën e errët e të bëjë që të lindë për ta dielli i drejtësisë.

Së fundi, në gjuhën e Shën Terezës, në shqip, lutja që Zoti t’i mbushë barinj e besimtarë me Shpirtin e vet, për ta shuar etjen e Jezusit në vëllezërit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button