Afate parazgjedhore: Çfarë na pret deri në ditën e zgjedhjeve më 11 dhjetor?
Dy herë u anuluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, këtë herë janë caktuar për më 11 dhjetor. Këtë para dy ditëve e caktuan liderët e katër partive, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, pasi që dy herë më parë u anuluan, ato të 24 prillit dhe 5 qershorit, njofton Portalb.
Nëse partitë nuk i anulojnë përsëri, këto janë afatet nga Kodi Zgjedhor që duhet t’i respektojnë institucionet:
- 12 tetor – Duhet të shpërbëhet Kuvendi dhe të caktohen zgjedhjet;
- 17 tetor – Radiodifuzionistët, mediat e shtypit dhe elektronike (internet portalet), janë të obliguara ta caktojnë çmimoren për pagesë të reklamave politike të pjesëmarrësve në procesin zgjedhor;
- 27 tetor – KSHZ patjetër ta vendos në inspektim publik Listën Zgjedhore. Inspektimi publik do të zgjasë 20 ditë, deri më 16 nëntor;
- 11 nëntor – KSHZ duhet t’i publikojë të dhënat e plotë të njësive zgjedhore;
- 18 nëntor – KSHZ patjetër t’i publikojë në shtypin ditor listat me kandidatë për deputetë;
- 21 nëntor – Fillon fushata zgjedhore;
- 22 nëntor – KSHZ do t’ua dorëzojë Listën Zgjedhore partive politike, ndërkaq ata, në afat prej 5ditëve, deri më 27 nëntor, patjetër duhet të dorëzojnë kërkesë për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave;
- 27 nëntor – KSHZ e nënshkruan Listën Zgjedhore;
- 8 dhjetor – Komisioni Shtetëror Zgjedhor duhet ta dorëzojë materialin zgjedhor në Komisionet Zgjedhore Komunale;
- 10 dhjetor – Mbaron fushata zgjedhore dhe fillon heshtja zgjedhore;
- 11 dhjetor – Dita e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.