Lëvizja BESA numëron problemet e nxënësve shqiptarë në Maqedoni të lënë pasdore

Lëvizja BESA ka reaguar sot duke theksuar se fëmijët që jetojnë në vendbanimet shqiptare në Maqedoni në të shumtën e rasteve, janë të diskriminuar dhe ballafaqohen me mungesë edhe të mjeteve dhe të kushteve më elementare.

Duke u ndërlidhur me ditën e parë të shkollës, lëvizja BESA reagon për disa prej problemeve me të cilat ballafaqohen shkollat me mësim në gjuhën shqipe:

– Si pasojë e politikës së keqe të përgjithshme shqiptare në Maqedoni, është bërë largimi i shqiptarëve nga trojet e tyre dhe me këtë është zvogëluar numri i nxënësve shqiptarë në shkollat shqipe.
– Gjithkund ndjehet mungesa e çerdheve dhe kopshteve për mësimin parashkollor.
– Në shumë shkolla, ndjehet mungesa e kushteve themelore, siç është uji i pijshëm dhe higjiena në klasa e hapësira shkollore.
– Mungojnë mjetet e nevojshme mësimore për realizimin e mësimdhënies bashkëkohore.
– Mungojnë hapësirat adekuate sportive ose nuk ka fare salla të edukatës fizike.
– Shkollat gjenden larg dhe fëmijët kanë vështirësi për të udhëtuar dhe për të arritur deri te shkolla, sidomos gjatë dimrit.
– Edhe në shkollat ku shumica e nxënësve janë shqiptarë kemi mospërfaqësim adekuat të kuadrit mësimdhënës, shërbimit profesional dhe udhëheqësisë së shkollave.
– Paralelet me mësim në gjuhën shqipe janë të mbingarkuara me nxënës me mbi 34 nxënës, ndërsa paralele me mësim në gjuhën maqedonase gjen edhe me nga 9 deri 19 nxënës).
– Objekte shkollore janë të vjetra dhe inventari shkollor i stërvjetëruar.
– Problem është edhe realizimi i mësimit në klasë të kombinuara, kjo si pasojë e numrit të vogël të nxënësve.
– Te nxënësit shqiptarë mësimin e gjuhës angleze e realizojmë mësimdhënës maqedonas.
– Nuk kanë mundësi të gjithë nxënësit ta ndjekin arsimimin e mesëm profesional.
– Kemi politizim dhe partizim të skajshëm të shkollave dhe ndikim të politikës në përzgjedhjen e kuadrit mësimdhënës.
– Shkollat vuajnë për mungesë të teksteve të mira shkollore dhe lektyrave shkollore.

Lëvizja BESA vlerëson se për të pasur një shoqëri të shëndoshë duhet të ketë një shkollim të shëndoshë, andaj do të punojë me përkushtim në arritjen dhe plotësimin e këtij synimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button