Largohet ministri francez i Ekonomisë

Ministri francez i Ekonomisë, Emmanuel Macron dha dorëheqjen nga posti i tij, konfirmoi Presidenca franceze. Kjo lëvizje ka nxitur spekulime që Macroni do të kandidojë për President vitin e ardhshëm.

38 vjeçari Emmanuel Macron dha dorëheqjen nga posti i tij si ministër i Ekonomisë, bëri të ditur Presidenca franceze të martën. Macroni u largua nga posti “në mënyrë që t’i dedikohet plotësisht lëvizjes së tij politike”, tha Presidenca, duke iu referuar fushatës së lëvizjes “En Marche” (Në Lëvizje), të cilën ai e themeloi në prill.

Ai ia dorëzoi dorëheqjen Presidentit pasdite, pas lundrimit në një varkë në lumin Seine për një takim me Hollande në Pallatin Elize. Në mediet franceze patën qarkulluar informacione për largimin e tij të mundshëm nga posti.

Presidenti francez Francois Hollande tha se ministri i Financave Michel Sapin do të marrë përgjegjësinë edhe të ministrisë së Ekonomisë.

Kandidaturë e mundshme presidenciale

Ky lajm interpretohet si një hap i madh për shpalljen nga Macron të kandidaturës së tij për President të Republikës Franceze në zgjedhjet e vitit 2017.

Macron, që më parë ka qenë bankier për investime dhe këshilltar i Hollande u emërua para dy vjetësh në mënyrë të papritur si ministër i Ekonomisë dhe ka ndjekur një politikë reformuese miqësore ndaj sipërmarrjeve. Por me linjën e tij socialiberale Macroni ka acaruar shumë herë krahun e majtë të Partisë Socialiste franceze në pushtet. Liberalët e kanë vlerësuar Macronin që ka sulmuar parime bazë të socializmit francez, si java me 35-orë pune.

Macroni themeloi lëvizjen politike me emrin “En Marche”, të cilën ai e përshkruan si lëvizje që regjistron pakënaqësitë te njerëzit dhe që nuk ka as drejtim të majtë dhe as të djathtë. Muajin e kaluar ai u mëshoi fort aspiratave presidenciale, kur tha në një manifestim të lëvizjes së tij se do ta drejtojë lëvizjen “drejt 2017-ës dhe drejt fitores”.

Hollande i drejtoi me këtë rast një paralajmërim të qartë Macronit. Ai që nuk u përmbahet “rregullave” nuk mund të qendrojë në qeveri, theksoi Presidenti. Ka “dy rregulla”, “solidariteti” në kuadër të qeverisë dhe nevoja “për të shërbyer pa kufizim”, tha Hollande.

Nëse Macroni do të kandidojë për President, ai do t’i trondisë zgjedhjet, kur partitë tradicionale – socialistët dhe republikanët – konkurojnë me udhëheqësen e partisë populiste të djathtë Front National, Marine Le Pen. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale franceze do të zhvillohet në 23 prill 2017. /DW

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button