Përfaqësimi i shqiptarëve në Kadastrën është vetëm 11%

Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve në Agjencinë e Kadastrës është vetëm 11%. Zëvendësdrejtori i këtij institucioni Afrim Useini arsyeton këtë shifër me kuadrin deficitar në nivel republikan  i cili kërkohet në këtë institucion. Ai  thekson se edhe përkundër angazhimeve në këtë drejtim, kjo shifër nuk është e kënaqshme dhe se përfaqësimi adekuat mbetet një ndër sfidat për të ardhmen, shkruan Alsat M. 

 “Këtu duhet potencuar se institucioni i kadastrës është institucion specifik për shkak se kërkon kuadër të profesionit të gjeodezisë dhe ky kuadër është kuadër deficitar i cili mungon jo vetëm te popullata shqiptare por mungon në përgjithësi në nivel shtetëror dhe institucioni i kadastrës ballafaqohet me këtë problem deri sa të dalin kuadrot e reja. Në nivel republikan numri i të punësuarve shqiptarë arrin rreth 11 %. Kemi bërë lëvizje por ato lëvizje nuk janë të kënaqshme dhe është një sfidë për të ardhmen që në këtë drejtim të ndryshojnë gjërat në kahje pozitive”, tha Afrim Useini zëvendësdrejtor i Kadastrës.

Nga gjithsej 12 sektor në kuadër të drejtorisë, vetëm një shqiptar është ndihmës udhëheqës sektori ndërsa 5 shqiptarë janë udhëheqës njësie në gjithsej 56 njësi.

 “Duhet potencuar se në aspektin e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat në këtë mandate kemi arritur që të marrim dy njësi rajonale, Tetovë dhe Gostivar , në qendrën e Shkupit kemi arritur të marrim një ndihmës udhëheqës sektori dhe një udhëheqës të njësisë me vendim të përkohshëm…Në drejtorinë e institucionit me sistematizimin e ri kemi marrë dy vende udhëheqëse dhe atë udhëheqës njësie në sektor mjaft të rëndësishëm, në sektorin për resurse njerëzore dhe sektorin e financave”, u shpreh Afrim Useini zëvendësdrejtor i Kadastrës.

Ai tha se në këtë institucion zbatohet edhe përdorimi i gjuhës shqipe, me ueb faqen e cila është edhe në gjuhën shqipe, ndërsa gjithashtu edhe informimi për projektet e institucionit realizohet edhe në shqip. Si projekte kapitale të realizuara gjatë mandatit të tij 5 vjeçar, Useini thekson regjistrimin e pronësisë dhe digjitalizimin e planeve kadastrave.

Lajme të ngjashme

Back to top button