Java që mori 6 jetë, rritet numri i vrasjeve në vend

Java që lamë pas, ka qenë më e keqja në aspektin e sigurisë, që kur ka filluar viti 2016-të.

Vetëm brenda një jave, në tre vende të ndryshme në vend, u regjistruan 6 vrasje si pasojë e mosmarrëveshjeve.

Ferizaj u trondit kur mbet i vrarë 20-vjeçari, për siç u raportua, konflikte të mëhershme me autorin, për të vazhduar më tutje me një vrasje të trefishtë në qytetin e Gjakovës, për po të njëjtat motive.

Hiq më larg se këtë të enjte mbrëma, Deçani u përball me vrasjen e dy personave, të cilën e kryen babë e bir.

Numri i vrasjeve krahasuar me vitin e kaluar ka pësuar rritje. Nga 11 sa raportohen të kenë ndodhur në vitin 2015, tani kjo shifër ka arritur në 15 të vrarë, ndërsa duke ja shtuar edhe 6 vrasje të tjera, numri i tyre deri në këtë moment mund të jetë rritur, të paktën deri në 21.

Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha. Ai tha se rastet e tilla të vrasjeve në përgjithësi janë tepër shqetësuese dhe shkaktohen për motive të ndryshme, përderisa vendimet lidhur me rastet e tilla dhe përcaktimi i dënimeve është kompetencë e organeve të drejtësisë.

Hoxha sqaroi se në vazhdimësi kanë ndërmarr veprime konkrete për parandalim qoftë përmes operacioneve policore për konfiskimin e armëve ilegale apo edhe përmes fushatave të ndryshme për vetëdijesim për të gjitha aktivitetet e kundërligjshme që mund të ndikojnë drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në rrezikimin e sigurisë së përgjithshme apo që mund të qojnë tek kryerja e akteve të tilla.

Policia e Kosovës, siç thotë ai, të gjitha këto raste i trajton duke u bazuar në ligjet e aplikueshme në vend dhe në konsultim me Prokurorinë kompetente ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për kompletim dhe procedim të rasteve në organet e drejtësisë.

“Në aspektin e parandalimit përveç Policisë duhet luajtur rolin e tyre edhe akterët tjerë të cilët kanë obligime institucionale dhe shoqërore në funksion të vetëdijesimit apo sensibilizimit të shoqërisë lidhur me pasojat që mund të vijnë nga veprimet e kundërligjshme në përgjithësi”, ka thënë Hoxha për lajmi.net.

Ai po ashtu shpjegoi se nëse iu referohen statistikave lidhur me zbulueshmërinë e rasteve të vrasjeve nëpër vite Policia e Kosovës ka arritur nivelin e zbulueshmërisë së rasteve të tilla mbi 75%.

“Disa raste të vrasjeve janë me kryes të njohur kurse disa nga rastet janë në proces hetimor dhe Policia ne bashkëpunim me Prokurorinë i trajton me një seriozitet të madh”, thotë ai ndër tjerash.

Në vijim po ju japim disa statistika të rasteve të vrasjeve për periudhën e njëjtë kohore 2015-2016, si dhe konfiskimet e armëve dhe municioneve gjatë asaj periudhe, marr nga Policia e Kosovës.

Periudha krahasuese Janar-Korrik 2015 Janar-Korrik 2016
Vrasje 11 15
Arme te konfiskuara 605 682
Municion i konfiskuar 14940 10416

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button