Është hapur ekspozita “Shenjtorja nga Shkupi – korrespondenca”

Prej dje, në Shkup, pikërisht në vendlindjen e saj, në mënyrë dinjitoze u shënua ditëlindja e shkupjanes shqiptare, Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza.

Fillimisht, në vendin ku ka qenë shtëpia e saj, në sheshin e Shkupit, u vunë kurora lulesh të freskëta nga disa delegacione, si nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë (SHHSHM), Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup (ITSHKSH), zëvendëskryeministrat Festim Halili e Arbër Ademi, ambasadorët e Shqipërisë e Kosovës, grupet e deputeteve nga Kosova e Maqedonia, etj.

Më pas, në Galerinë kombëtare të arteve “Hamami i Daut Pashës” në Shkup, u hap ekspozita me fotografi e dokumente “Shenjtorja nga Shkupi – korrespondenca”, që i kushtohet 106 vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut, si një aktivitet që paralajmëron edhe shenjtërimin e saj, të paralajmëruar për më 4 shtator të këtij viti.

Ekspozita e përgatitur nga SHHSHM, në bashkëpunim me ITSHKSH-Shkup, Institutin Shqiptar në St.Galen të Zvicrës, Arkivin Shtetëror të Lucernit në Zvicër, Arkivin Qendror të Shtetit Shqiptar në Tiranë, Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, dhe Shoqatën Zvicër-Shqipëri, nxjerr në pah aspekte të reja të jetës dhe veprës së shentores së ardhshme shqiptare.

Koordinatori i projektit, Skender Asani, tha se në kohën kur gjithë bota është ngritur në këmbë për ta pritur shenjtërimin e shqiptares nga Shkupi, Gonxhes që u mbiquajt Nëna Terezë, jemi të mendimit se ky proces duhet të fillojë pikërisht aty ku ajo e filloi jo vetëm jetën, por edhe misionin e saj të madh drejt bamirësisë, humanitetit dhe dashurisë.

“Ne konsiderojmë se djepi që e përkundi dhe e gatoi këtë figurë markante në përmasa botërore është pikërisht Shkupi i saj dhe pikërisht lagjet në të cilat sot vendosëm lule dhe aty ku sot po e shpalosim këtë ekspozitë”, tha Asani.

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Festim Halili, tha se shqiptarja nga Shkupi, Gonxhe Bojaxhiu, është një model i veçantë dhe ndoshta i papërsëritshëm, i përhapjes dashurisë, paqes dhe bamirësisë ndër miliona njerëz të vuajtur anekënd botës, andaj sot emri i saj është lartësuar dhe institucionalizuar në shumë emra rrugësh e institucionesh në mbarë hapësirën shqiptare dhe më gjerë.

Më pas, me fjalë përshëndetëse u paraqitën edhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, Fatos Reka, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, pastaj Izer Maksutin, i foli në emër të Institutit Shqiptar në St.Galen të Zvicrës, Arkivit Shtetëror të Lucernit dhe Shoqatës Zvicër-Shqipëri, drejtori i Arkivit Qendror të Shtetit Shqiptar në Tiranë, Gjet Ndoj, si dhe njëri nga përfaqësuesit e komunitetit shqiptar-katolik të Shkupit dhe njohës i jetës e veprës së Nënë Terezës, Anton Sereçi.

Grupi “Duo Skupi” i përbërë nga Ermal Mehmeti në violinë, dhe Jeta Starova-Mehmeti në flautë, u paraqitën me dy përpunime nga këngë të vjetra shqiptare.

Krahas vizitës së ekspozitës e cila do të qëndrojë disa ditë në Galerinë kombëtare të arteve “Hamami i Daut Pashës” në Shkup, të pranishmit u shërbyen edhe me katalogun e përgatitur enkas për këtë event.

Projekti në fjalë është përkrahur financiarisht nga ana e Ambasadës Zvicerane në Shkup dhe programit të saj Civica Mobilitas.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button