Kosova solidarizohet me popullin italian

Krerët shtetërorë të Kosovës solidarizohen me popullin italian, pas tërmetit që tronditi Italinë qendrore, ku numri i të vdekurve arriti në 38, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shprehu pikëllimin për fatkeqësinë e rëndë natyrore, duke theksuar se në këto çaste të vështira qëndrojnë pranë popullit mik italian.

“Në emër të popullit të Kosovës shpreh ndjenjat më të ngrohta të solidaritetit dhe ngushëllimet më të sinqerta për të afërmit e viktimave. Po ashtu uroj shërim sa më të shpejtë për të plagosurit dhe shpresoj që pasojat e dëmeve të kapërcehen sa më shpejtë”, ka shkruar presidenti Thaçi, në llogarinë e tij zyrtare në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri Isa Mustafa, ngushëlloi Qeverinë dhe popullin italian me një telegram ngushëllimi dërguar homologut të tij, Matteo Renzi.

Në një njoftim nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se Kryeministri Mustafa ka shprehur solidaritetin dhe ngushëllimet më të sinqerta Qeverisë, popullit italian dhe familjarëve të viktimave të kësaj fatkeqësie të rëndë natyrore.

“Qeveria dhe populli i Kosovës bashkëndiejnë dhembjen dhe pikëllimin në këto momente të rënda për popullin dhe shtetin mik Italinë”, thuhet në telegramin e kryeministrit Mustafa.

Ndërkaq, duke uruar shërim sa më të shpejtë për të plagosurit, kryeparlamentari Kadri Veseli, në një postim në llogarinë e tij zyrtare në Facebook ka shkruar “Në këto momente të vështira pas fatkeqësisë së rëndë natyrore në Itali, jemi pranë popullit mik italian. Shpreh dhembjen e qytetarëve të Kosovës dhe solidarizohemi me të afërmit e viktimave, ndërsa urojmë shërim sa më të shpejtë për të plagosurit”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button