Lëvizja BESA: Vazhdon beteja për ta rikthyer edhe votuesin e fundit

“Pas publikimi të listës së emrave nga ana e KSHZ-së, me të cilën u propozua që të largohen 39.502 votues nga lista e përgjithshme zgjedhore në Maqedoni dhe menjëherë pas analizës së shkurtër të listës në fjalë, Lëvizja BESA erdhi deri në konstatimin se përmbajtja e kësaj liste është skandaloze. Për të qenë të sigurt në këtë konstatim, ndërmorëm disa hapa konkrete dhe në fund, pas analizës së detajuar të listës zgjedhore dhe sidomos pas të dhënave që na erdhën nga strukturat tona të cilat kanë punuar vazhdimisht në terren dhe kanë ndërmarrë aktivitete në lidhje me rikthimin e këtyre votuesve të fshirë padrejtësisht, kemi konstatuar shumë probleme evidente dhe përdëftim të hipotezave tona në fillim të analizës”, thonë nga Lëvizja BESA.

Konstatimet e Lëvizjes BESA janë:

  • Emrat në këtë listë nuk janë fiktivë, por real;
  • Shumica e tyre janë shqiptarë;
  • Shumica e tyre janë me orientim opozitar;

“Analizat tona dhe të dhënat nga terreni na sollën te konstatimi se në përmasa të mëdha hipotezat tona janë të sakta, ndërsa ndërkohë na dolën edhe probleme të tjera, që nuk i kemi parashikuar dhe pritur në fillim të analizës”, shtojnë nga Lëvizja BESA.

Në vijim, Lëvizja BESA, i ka shpalosur të dhënat dhe karakteristikat e analizës në formë të shkurtër:

  • Shumica e votuesve të vendosur në këtë listë, pra rreth 90 %, janë njerëz realë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Maqedoni;
  • Mbi 70% e votuesve  në listë janë shqiptarë;
  • Shumë emra nga kjo listë rezultoi të jenë persona të afërm me funksionarët e lartë të Lëvizjes BESA, por edhe të subjekteve tjera opozitare;
  • Shumica e votuesve në listë janë gra, mbi 60%;
  • Ekzistojnë persona të cilët njihen publikisht dhe janë në këtë listë (p.sh.: profesorë universitarë, analistë, gjykatës të Gjykatës Kushtetuese etj)
  • Një numër i konsiderueshëm i votuesve nga kjo listë janë persona të rinj, të cilët ndoshta do të votojnë për herë të parë.
  • Ka pasur probleme gjatë funksionimit të softuerit për regjistrimin e personave që gjenden në listën për t’u fshirë.

Përveç analizës së listës dhe të dhënave nga terreni, Lëvizja BESA gjatë kësaj kohe ka organizuar edhe aktivitete të tjera në funksion të realizimit sa më të mirë të projektit “Jam votues”.

“Pas rezultateve të shpallura se vetëm 8.901 votues janë rikthyer në listën e përgjithshme të votuesve, Lëvizja BESA, duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat politike që i ka në dispozicion, zotohet se do të vazhdojë me angazhimin e saj për ta zhvilluar këtë betejë deri në fund dhe për ta rikthyer edhe votuesin e fundit që ka të drejtë vote në listën e votuesve. Pa zgjedhje të drejta, të lira dhe korrekte ky shtet nuk ka ardhmëri”, shtojnë nga Lëvizja BESA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button