Koreja e Jugut dhe SHBA-të stërvitje ushtarake në Paqësor

Koreja e Jugut dhe SHBA kanë filluar stërvitjen ushtarake vjetore e cila zgjat 12 ditë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën nga ushtria e Koresë së Jugut dhe ajo e SHBA-ve, theksohet se në stërvitje marrin pjesë gjithsej 75 mijë ushtarë, edhe atë 50 mijë nga Koreja e Jugut dhe 25 mijë nga SHBA-të.

Njoftohet se stërvitja 12-ditore e emëruar si “Gardiani i Lirisë Ulchi” (Ulchi Freedom Guardian), në masë të madhe do të ketë mbështetje me simulim kompjuterik.

Nga ana tjetër, Shtatmadhoria e Koresë së Veriut, ka kërcënuar se në rast se shfaqin çfarëdo indikacioni ofensiv kundrejt territoreve të saj, Seulin dhe Washingtonin do t’i shndërrojë “në pirg hiri në stilin parandalues nuklear të Koresë së Veriut”.

Sipas lajmit në agjencinë shtetërore të Pjongjangut, qeveria e Koresë së Veriut ka bërë të ditur se njësitet e “goditjes së pare” të shtetit janë të gatshme për sulme kundërpërgjigjëse ndaj forcave të Koresë së Jugut dhe SHBA-ve.

– “Stërvitja ka qëllime mbrojtjeje” –

Ndërkaq, në deklaratën nga Ministria e Unifikimit e Koresë së Jugut, thuhet se stërvitja me SHBA-të ka qëllime mbrojtjeje ashtu siç kërkon nevoja, duke shprehur pikëllim nga deklaratat e Veriut.

Po ashtu, ushtria e Koresë së Jugut ditën enjte në afërsi të kufirit me Korenë e Veriut organizoi stërvitje ushtarake në të cilën deri më tani janë përdorur më së shumti artileri, ku përgjatë këtij kufiri u zhvilluan gjuajtje të njëkohshme nga 300 sisteme të artilerisë.

Zyrtarët të cilët theksuan se nuk ka pasur asnjë kundërpërgjigje nga ushtria e Koresë së Veriut, thanë se stërvitja përkon me kohën e njëjtë të vitit të kaluar kur në zonën kufitare dy ushtarë të Koresë së Jugut i humbën këmbët për shkak të shpërthimit të minave. Zyrtarët ushtarakë theksuan se vendi organizon stërvitje të rregullta me gjuajtje me armë, porse në stërvitjen e fundit janë përdorur artileri si asnjëherë më parë, dhe se stërvitja e fundit ishte e ndryshme nga të tjerat meqë kishte gjuajtje të njëkohshme nga të gjitha hapësirat e frontit.

Koreja e Jugut dhe SHBA-të, stërvitjen me pjesëmarrje më të madhe deri më tani e kanë organizuar në muajin mars. Në këtë stërvitje të emërtuar “Plani Operativ (OPLAN) 5015” e cila zgjati deri në muajin prill, kishin marrë pjesë 315 mijë ushtarë, 300 mijë nga Koreja e Jugut dhe 15 mijë nga SHBA-të.

Nga ana tjetër, Koreja e Jugut, SHBA-të dhe Japonia, në fund të muajit qershor për herë të parë kishin organizuar stërvitje me raketa antibalistike në Oqeanin Paqësor, ndërkohë që në deklaratën e publikuar nga ushtria amerikane ishte thënë se stërvitja “Dragoi i Paqësorit” e organizuar në Oqeanin Paqësor do t’i zhvillonte edhe më tej marrëdhëniet e fuqishme mes tri shteteve.

Ndërkaq, Pjongjangu zyrtar i cili stërvitjen e kishte quajtur si “provokim ushtarak” në porosinë e publikuar në agjencinë zyrtare KCNA, ishte shprehur se “Koreja e Veriut do të vazhdojë punimet me armë balistike dhe bërthamore kundër forcave armiqësore të cilat përbëjnë rrezik për sigurinë e vendit.”

Koreja e Veriut, në vitin 1950, për ta bashkuar pjesën veriore me atë jugore të Gadishullit të Koresë, e kishte sulmuar jugun. Lufta në të cilën Kina i dha mbështetje Koresë së Veriut, kishte përfunduar më 1953 me nënshkrimin e armëpushimit. Meqë ende nuk është bërë marrëveshje për paqe mes palëve, dy Koretë teknikisht ende llogariten se janë në luftë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button