Sulmet ajrore të forcave ruse në Halep shkaktojnë 15 të vdekur

Së paku 15 persona janë vrarë gjatë bombardimeve të forcave ruse që ndodhën mbrëmë vonë në provincën veriore siriane Halep, raporton Anadolu Agency (AA).

Avionët ushtarakë rusë me bomba thërrmuese sulmuan vendin rural në rajonin e Halepit, Atarib, deklaroi për AA një përfaqësues zyrtar lokal i mbrojtjes civile. “Së paku 15 persona kanë humbur jetën dhe shumë të tjerë janë lënduar”, shtoi ai në kushte anonime.

Përfaqësuesi zyrtar deklaroi se sulmi ka shkaktuar shumë dëme, ndërsa ekipet e shpëtimit po luftojnë që t’i gjejnë personat e mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave.

Në shtator të vitit të kaluar, Rusia filloi fushatën e saj ajrore mbi kundërshtarët e regjimit të Bashar al-Asadit. Nga Moska theksojnë se sulmet ajrore janë ndaj grupit terrorist DAESH, ndërsa Uashtingtoni dhe opozita siriane theksojnë se sulmet ruse janë ndaj kundërshtarëve të Asadit.

Nga marsi i vitit 2011 opozita siriane kërkoi fundin e sundimit 44 vjeçar të familjes Asad, dhe vendosjen e një shteti demokratik.

Regjimi sirian iu kundërpërgjigj protestave paqësore me fuqi ushtarake, duke sjellë shtetin në dhunë, luftime të përgjakshme dhe luftë civile e cila ende po zgjat mes forcave të regjimit dhe atyre opozitare.

Sipas statistikës të OKB-së, që nga fillimi i luftës kanë humbur jetën 250.000 njerëz, ndërsa mbi 10 milionë janë zhvendosur në mbarë vendin.

Qendra Siriane për Hulumtime Politike thekson se numri i të vdekurve në konfliktin gjashtëvjeçarë arrin 470.000 persona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button