ISIS fajësohet për masakrën në dasmën kurde

Grupi militant Shteti Islamik dyshohet se ka kryer sulmin vdekjeprurës në një festë dasme në Gaziantep të Turqisë, tha presidenti Recep Tayyip Erdogan.

Numri i të vrarëve në sulmin e së shtunës mbrëma ka arritur në 50, tha zyra e guvernatorit lokal. Sipas burimit të njëjtë, gati 100 veta janë plagosur.

Sulmuesi i dyshuar vetëvrasës ka hedhur veten në erë pranë një dasme kurde.

Gaziantepi, i cili ndodhet pranë kufirit me Sirinë, ka disa qeliza të Shtetit Islamik.

Në një deklaratë me shkrim, të publikuar nga mediat lokale, Erdogan tha se “nuk ka dallim” midis Shtetit Islamik, militantëve të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe ndjekësve të klerikut, Fethullah Gulen, i cili fajësohet për përpjekjen për grushtshtet në Turqi, më 15 korrik.

“Vendi ynë dhe kombi ynë kanë sërish një mesazh për ata që na sulmojnë: ju nuk do të keni sukses”, tha Erdogan.

Ai shtoi se qëllim i sulmeve të tilla është të nxitet ndarja përgjatë vjave etnike dhe fetare në Turqi.

Guvernatori i Gaziantepit, Ali Yerlikaya, i tha agjencisë turke të lajmeve Anadolu se “sulmi terrorist” ka ndodhur pranë një feste të dasmës, në qarkun Sahinbej.

Shpërthimi ka ndodhur në një pjesë të Gaziantepit të populluar me studentë dhe që ka komunitet të madh kurd.

Partia Popullore Demokratike, e cila është pro-kurde, tha përmes një deklarate se dasma ka qenë për një nga anëtarët e saj dhe se gra dhe fëmijë janë në mesin e të vrarëve.

Turqia është goditur nga disa sulme me bomba gjatë vitit të kaluar, përgjegjësinë për të cilat e kanë marrë herë militantët e Shtetit Islamik, herë ata kurdë. Sulmi i fundit i Shtetit Islamik, në Aeroportin e Stambollit në muajin qershor, ka lënë të vrarë mbi 40 veta.

Armëpushimi midis Turqisë dhe militantëve kurdë ka marrë fund vitin e kaluar dhe përleshjet prej atëherë kanë marrë jetë njerëzish nga të dyja palët.

Partia e Punëtorëve të Kurdistanit ka nisur rebelimin qysh në vitin 1984, duke kërkuar një atdhe të pavarur që do të përfshinte një zonë në juglindje të Turqisë, të kufizuar me Sirinë, Irakun dhe Iranin.

Grupet kurde kanë filluar tashmë të ndërtojnë rajonet e tyre në Siri, derisa luftojnë për rrëzimin e regjimit të presidentit sirian, Bashar al Assad.

Të shtunën, Qeveria e Turqisë tha se vendi do të marrë rol më aktiv në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Siri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button