Organizata për të Drejtat e Njeriut: Policia meksikane ka vrarë 22 civilë
Policia federale e Meksikës ka ekzekutuar në mënyrë arbitrare 22 pjesëtarë të supozuar të bandës në shtetin e trazuar perëndimor Michoacan, bëri të ditur të enjten Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut (CNDH), raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë konferencës për media, kryetari i grupit, Luis Raul Gonzalez, tha se ekzekutimet ndodhën më 22 maj të 2015, me rastin e operacionit të policisë federale ndaj një ferme në Tanhuato kundër pjesëtarëve të kartelit, Jalisco New Generation (CJNG).
“Hetimet vërtetojnë faktet të cilat përfshijnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut që i ngarkohen shërbyesve publik të policisë federale”, tha Gonzalez.
Ai tha se ekipi i tij ka gjetur prova në dy raste të torturës dhe dy vdekje nga përdorimi i forcës së tepruar, duke shtuar se policët kishin zhvendosur shtatë trupa dhe kanë fshehur armët pas kryerjes së krimit.
Komisioni gjithashtu ka ngritur dyshime në lidhje me motivet e bastijes. Sipas versionit të policisë federale, pjesëtarët e dyshuar të kartelit në fjalë, kanë hapur zjarr mbi automjetet e policisë në autostradë. Të shtënat që çuan në përplasje ishin shkaku i bastisjes në fermë.
Gonzalez tha se të paktën 42 pjesëtarë të dyshuar të bandës janë vrarë gjatë përleshjes, ndërsa nga radhët e policisë vetëm një polic ka vdekur.
Menjëherë pas konferencës për media, komisioneri i sigurisë kombëtare të Meksikës, Renato Sales, mohoi policia të ketë kryer ekzekutime dhe shtoi se oficerët përdorën armët në mënyrë të ligjshme për t’u mbrojtur.
“Konsiderojmë se armët janë përdorur në një mjedis të tensionuar ku kishte të shtëna armësh. Ne nuk besojmë se kjo konfirmon hipotezën e ekzekutimeve jozyrtare”, tha Sales në një konferencë për media.
Që nga koha kur ish-presidenti meksikan Felipe Calderon nisi një luftë kundër karteleve të drogës në vitin 2007, policia dhe ushtarët, të shpërndarë për të garantuar sigurinë, janë përballur me akuzat për abuzime të të drejtave të njeriut dhe në disa raste të vrasjeve të profilit të lartë.
Tetorin e kaluar, të paktën tetë persona u vranë në përleshjet midis mësuesve që protestonin dhe policisë në shtetin jugor Oaxaca.
Autoritetet kanë implikuar policinë lokale dhe kryetarin e Igualas në rrëmbimin e 43 studentëve në shtetin jugor Guerrero në nëntorin e vitit 2014. Studentët ende figurojnë si të zhdukur.
Në qershor të vitit 2014, shtatë ushtarë janë arrestuar nën dyshimet për vrasjen e 12 civilëve në Tlatlaya.
Ushtarët, të cilët ishin akuzuar për mosbindje dhe shkelje të disiplinës ndaj urdhërave në këtë rast, u lanë të gjithë të lirë.