Musatafa: Vizita e Biden do të fuqizojë partneritetin strategjik Kosovë-SHBA

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, lidhur me vizitën dhe takimin e nënpresidentit të SHBA-ve, Joe Biden, është shprehur se kanë zhvilluar takim të frytshëm bilateral, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai këto komente i bëri në profilin e tij të rrjetit social Facebook, ku mes të tjerash thekson: “Pata nderin e veçantë të pres sot zëvendëspresidentin amerikan, mikun e madh të Republikës së Kosovës, Joe Biden. Pasi i urova zëvendëspresidentit Biden mirëseardhje në Kuvendin e Kosovës, zhvilluam një takim shumë të frytshëm bilateral.”

Kryeministri Mustafa më tej shton se kjo vizitë do të ndikojë në fuqizimin edhe më të madh të partneritetit strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së.

“Jam thellësisht i bindur se kjo vizitë do të ketë ndikim pozitiv në fuqizimin e mëtejshëm të miqësisë dhe të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Zoti i bekoftë Kosovën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thekson Mustafa.

Ndërkaq edhe kryeparlamentari i Kosovës Kadri Veseli në profilin e tij të Facebook-ut i uroi mirëseardhje nënpresidentit Joe Biden. “I urova mirëseardhje në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mikut tonë të çmuar, zëvendëspresidentit të SHBA-së, Joe Biden dhe familjes së tij. Shtetet e Bashkuara janë sinonim i lirisë dhe pavarësisë tone”, shkroi Veseli.

Nënpresidenti amerikan është takuar edhe me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili mbrëmë e priti në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” me nderime të larta shtetërore.

Pas takimeve me drejtuesit më të lartë të Kosovës, nënpresidenti Biden do të marrë pjesë në ceremoninë e emërimit të rrugës, kushtuar djalit të tij të ndjerë Joseph R. “Beau” Biden, III, i cili ka ndërruar jetë vitin e kaluar nga kanceri i trurit në moshën 46 vjeçare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button