Berlini e konsideron Turqinë si mbështetëse të grupeve terroriste

Në bazë të një dokumenti që ka dalë në sipërfaqe, Berlini e konsideron Turqinë si mbështetëse të grupeve terroriste.

Zyrtarët gjermanë të sigurisë e cilësojnë Turqinë si platformë qendrore për mbështetjen e ekstremistëve dhe të organizatave terroriste në Lindjen e Mesme, thuhet në raportin e televizionit publik gjerman, ARD, në të cilin citohet një dokument i fshehtë që ka dalë në sipërfaqe, në të cilin Ankaraja akuzohet se po ushqen islamin radikal në rajon.

Të martën në mbrëmje, ARD publikoi pjesë të dokumentit të besueshëm, për të cilin pretendohet se është hartuar nga ministria e Brendshme e Gjermanisë, në të cilin presidenti i Turqisë, Reccep Tayyip Erdogan, akuzohet se në bazë të lidhjeve të tij ideologjike po mbështetë organizatat, të cilat konsiderohen si terroriste nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shprehjet e shumta të solidaritetit dhe veprimet mbështetëse të Partisë AKP dhe të Presidentit Erdoan për Vëllazërinë Myslimane në Egjipt, për Hamadin dhe për grupet e armatosura islamike, të cilat po veprojnë në Siri, nënvizojnë lidhjet ideologjike të AKP-së dhe Erdoanit me këto grupe”, citoi ARD raportin e qeverisë, përcjell 21Media.

Në raport gjithashtu theksohet se Turqia për vite me radhë ka financuar grupet ekstremiste dhe terroriste, me pajtimin e Erdoganit. “Si rezultat i islamizimit hap pas hapi të politikës së vet të brendshme dhe të jashtme që nga viti 2011, Turqia është shndërruar në një platformë qendrore për aksionet e grupeve islamike në Lindjen e Mesme”, thuhet në dokument.

Dokumenti që ka dalë në sipërfaqe ndërlidhet me pyetjen parlamentare të bërë nga një deputet i Partisë së Majtë dhe përgjigjja është hartuar nga ministria e Brendshme dhe paraqet vlerësimin e parë zyrtar të Berlinit, në të cilin Turqia lidhet me islamistët, përcjell 21Media.

Pas daljes së dokumentit në sipërfaqe, duke reaguar Partia e Majtë ka kërkuar një ndryshim radikal të qasjes së Gjermanisë ndaj Turqisë. Deputetja e Partisë së Majtë, Sevim Dagdalen, deklaroi se qeveria e Gjermanisë nuk mund ta cilësoi si partner kumbarin e terrorizmit, siç e quajti ajo Presidentin Erdogan, e njëkohësisht të tërheqë vërejtjen për nevoja të brendshme se Turqia është shndërruar në qendër për mbështetje të terrorizmit./21Media

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button