Hyseni lavdëron institucionet në parandalimin e radikalizmit

Skender Hyseni, është takuar sot me anëtarët e Forumeve Lokale të Sigurisë të regjionit të Mitrovicës

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, është takuar sot me anëtarët e Forumeve Lokale të Sigurisë të regjionit të Mitrovicës, ku përveç përfaqësuesve të jugut të Mitrovicës, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e forumeve nga komuna e Skenderajt dhe Vushtrrisë, trasnmeton TV 21.

Në këtë takim u diskutua për trafikimin me qenie njerëzore, përdorimin e drogave, si dhe parandalimin e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm.

Ministri Hyseni tha se qëllimi i mbajtjes së këtyre tryezave është që të alarmohen të gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë në Kosovë në lidhje me këto probleme.

Sipas tij, këto tre fusha specifike, janë thelbësore për sigurinë e përgjithshme në vend.

Ai theksoi si çështje tjetër shumë brengosëse kohët e fundit edhe përdorimin e narkotikëve dhe drogave të ndryshme tek grup-moshat e mitura, sidomos nëpër shkolla.

Duke folur për ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin, ministri Hyseni tha se falë organeve gjegjëse të vendit, kjo dukuri ka shënuar rezultate pozitive.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka potencuar se qyteti i Mitrovicës është ndër qytetet më stabile të vendit, përkundër specifikave të veta.

Ai ka falënderuar në radhë të parë qytetarët, por edhe institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës për ruajtjen e qetësisë në këtë qytet.

Afërdita Milullovci, zëvendës drejtoreshë e policisë për rajonin e Mitrovicës, ka prezantuar veç tjerash punën e susksesshme dhe rezultatet e policisë të arritura në këtë drejtim.

Sipas saj, shqetësim vazhdon të mbetet përdorimi i narkotikëve, dukuri kjo që është në ngritje për një shkallë në raport me vitet e kaluara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button