Akuzat e Lavrov – “Rebëlet në Siri po përdorin armëpushimin për t’u rigrupuar”

Gjatë takimit të mbajtur me homologun e tij gjerman, Frank Valter Steinmeier në Jekaterinburg, ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se rebelët që kundërshtojnë Presidentin Bashar al-Assad po e përdorin marrëveshjen e armëpushimit të arritur mes palëve për t’u rigrupuar.
Ai u shpreh se marreveshja po shfrytëzohet nga militantët për të rekuperuar forcat e humbura gjatë përballjeve me forcat qeveritare siriane, të cilat mbështeten nga ajri nga ushtria ruse. Lavrov shkoi më tej kur tha se në korridoret e hapura për qëllime humanitare janë transportuar armë si dhe kanë ardhur më shumë luftëtarë rebelë.
Por nuk ka qënë i të njëjtit mendim ministri i jashtëm gjerman, Frank Valter Steinmier, i cili u shpreh se korridoret nuk po e kryejnë siç duhet funksionin për të cilin u krijuan. Ai nënvizoi se ndihmat kanë mbërritur në shumë pak zona të Alepos madje në shumicën e rasteve janë bllokuar.
Më tej, palët kanë diskutuar edhe për krizën e Ukrainës, duke vlerësuar se rruga që duhet ndjekur në këtë drejtim është respektimi i marrëveshjes së Minskut. Lavrov hodhi akuza ndaj Kievit zyrtar duke thënë se qeveria ukrainase nuk po shfaq vullnetin e duhur për implementimin e akordit.
Sa i përket marëdhënieve Rusi-Gjermani, kreu i diplomacisë ruse u shpreh se tensioni që ekziston mes palëve nuk ka ardhur për shkak të veprimeve të Moskës. Ai nënvizoi se përmirësimi i relatave me Berlinin është një prioritet për Moskën zyrtare. Gjermania dhe Rusia kanë shfaqur qëndrime të ndryshme për disa çështje në arenën ndërkombëtare ku rastet më të ndjeshme janë lufta e Sirisë dhe aneksimi i Krimesë./Oranews

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button