Kuvendi i Maqedonisë solli përfundime për të prekurit nga vërshimet

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë në seancën e djeshme i ka miratuar përfundimet që duhet t’i ndërmerr për sanimin e pasojave nga vërshimet e 6 gushtit në rrethinën e Shkupit dhe rajonin e Tetovës, në të cilën humbën jetën 22 persona, mbi 70 të tjerë janë lënduar, një foshnje 16 muajshe konsiderohet si e humbur, ndërkaq dëmet materiale janë shumë të mëdha, njofton Portalb.

Me miratimin e përfundimeve, mes tjerash, Kuvendi dhe të gjitha institucionet kompetente, obligohen që të vazhdojnë t’u dalin në ndihmë banorëve nga zonat e përmbytura deri në pastrimin, sanimin dhe zbutjen e pasojave nga vërshimet katastrofale. Kërkohet që Qeveria t’i realizojë përfundimet për kompensimin me avans ndaj familjeve të prekura nga përmbytjet dhe të vazhdojë të angazhohet për vlerësim të shpejtë të dëmeve, ndërkaq institucionet të ndërmarrin masa ligjore kundër atyre që e kanë keqpërdorur gjendjen që ka ndodhur për përfitime financiare.

Qeveria duhet të kryej vlerësim dhe nëse është e nevojshme duhet të përcjellë mjete të caktuara nga buxheti deri te institucionet kompetente për menaxhimin me pasojat nga vërshimet. Ministria e Financave dhe Qeveria duhet të përgatisin, ndërkaq Kuvendi të rishikojë vendimin për rishpërndarje mes shfrytëzuesve të buxhetit me të cilat sigurohen mjetet për kompensim ndaj familjeve që u kanë humbur personat, atyre që janë në gjendje të keqe, por edhe për sanim të dëmeve. /Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button