RDK: Marrëveshja e Ohrit është devalvuar tërësisht nga aktorët politik vendas

 

“Rilindja Demokratike Kombëtare në kontinuitet ka theksuar se roli i Marrëveshjes së Ohrit ka qenë instrumental në ndalimin e konfliktit të armatosur të vitit 2001, dhe është absurditet i jashtëzakonshëm të flitet rreth implementimit ose mosimplementimit të kësaj marrëveshje, edhe 15 vite pas nënshkrimit të saj. Tanimë nuk ka dilemë se Marrëveshja e Ohrit është devalvuar tërësisht nga aktorët politik vendas, qoftë ato maqedonas apo edhe shqiptarë, dhe është ofendim i rëndë të vazhdohet edhe më tutje të manipulohet me popullatën e rëndomtë në emër të kësaj marrëveshje”, thuhet në kumtesën e RDK-së me rastin e 15 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit.

Sipas tyre, “ky dokument mund lirisht të bëhet pjesë përbërëse e konferencave, seminareve dhe debateve të ndryshme akademike dhe assesi nuk duhet të jetë pjesë përbërëse e jetës së përditshme shoqërore në krijimin e një pengu të vazhdueshëm të një popullate të tërë”.

Rilindja Demokratike Kombëtare thekson se është absurde dhe ironi në vete të vazhdohet të flitet për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit që i ka skaduar afati i implementimit para 12 vitesh.

“Arsyetimi se nuk ekziston “vullnet politik” te pala maqedonase për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është manipulim i padurueshëm dhe ofendues, dhe urgjentisht duhet larguar nga vokabulari i partisë shqiptare në pushtet. Pazarllëqet individuale dhe partiake në shkëmbim të këtij “vullneti politik” duhet përfunduar menjëherë dhe aktorët e involvuar duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë devalvim të tmerrshëm ndaj Marrëveshjes së Ohrit. Marrëveshja e Ohrit ishte aduti i fundit i arritjes të një konsensusi të gjithëmbarshëm të barabarësisë në këtë shtet, por tani edhe ky adut është humbur tërësisht, me qëllim apo pa qëllim, nga aktorët politik vendas. Tanimë nuk mbetet gjë tjetër përpos të themi se Marrëveshja e Ohrit ndaloi kryengritjen e armatosur të vitit 2001 të mos marr përmasa të mëdha, dhe me të gjitha të mirat dhe të këqijat që i ka ngërthyer në veti, kjo marrëveshje duhet dhënë një vend të merituar në botën akademike, dhe asgjë më shumë”, thonë nga RDK.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button