Komiteti i Helsinkit: Të dënohet publikisht përhapja e urrejtjes ndëretnike

Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut kërkoi që Qeveria dhe gjithë të tjerët të dënojnë publikisht gjuhën e urrejtjes dhe përhapjen e urrejtjes ndëretnike në Maqedoni. Nga ky Komitet thonë se me shqetësim kanëkonstatuar se festimi shtetëror i përvjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit të organizuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në vend që të ketë karakter unifikues, ishte një rast tjetër për përhapjen e urrejtjes dhe intolerancës ndëretnike, transmeton Portalb.mk.

“Njoftimi i prezantueses në gjuhën maqedonase, i cili u përshëndet nga të pranishmit, bie ndesh drejtpërdrejt me idenë e një festivali multikulturor dhe shkakton urrejtje në mes të bashkësive etnike në vend. Akoma më shqetësuese është mungesa e dënimit nga ana e Qeverisë, e cila ndikon edhe më tej në polarizimin në shoqëri. Komiteti i Helsinkit vazhdimisht monitoron dhe reagon ndaj gjuhës së urrejtjes, e cila është një nga faktorët kryesorë që çon në krimet e urrejtjes”, thuhet në reagimin e KH.

Sipas tyre, përkatësia etnike ka dominuar prej vitesh si baza më e zakonshme e gjuhës dhe akteve të urrejtjes, ndërsa autorët dhe viktimat më të shumta janë të rinjtë. Pikërisht për këtë, konsiderojnë ata, dënimi publik është më e pakta që mund të bëjnë strukturat politike, veçanërisht në një situatë kur mekanizmat e tjerë për trajtimin e këtij fenomeni janë praktikisht jofunksionalë.

“Pa një dënim të qartë dhe pa mëdyshe të personave që ndezin marrëdhëniet ndëretnike, është e pakuptimtë kremtimi i Marrëveshjes së Ohrit, fryma e së cilës përmban bashkëjetesë, paqe dhe gjithëpërfshirje në shoqëri. Politikanët nuk duhet të normalizojnë gjuhën e urrejtjes, sepse në këtë mënyrë ata vetë kontribuojnë në nxitjen e atmosferës së ndarjeve, tensioneve dhe destabilizimit. Komiteti i Helsinkit edhe një herë i bën thirrje Qeverisë që të dënojë shpërthimet e urrejtjes dhe në thelb t’i përkushtohet kohezionit social në vend”, thuhet në reagimin e Komitetit të Helsinkit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button