Shkup, Enigmë: Asnjë institucion s’e di se kush janë nëna dhe fëmija që “u gjetën të gjalla nga vërshimet”

Pas publikimit të kronikës së “Alsat M”, ku sipas së njëjtës thuhet se një grua dhe vajza e saj e mitur janë gjetur mbrëmjen e së martës në një fushë të përmbytur në afërsi të qarkores së Shkupit, sot Portalb ka  hetuar rastin në institucionet kompetente për të gjetur se kush janë personat e përmendur që ceken në kronikë, në çfarë kushte dhe rrethanash u kanë shpëtuar përmbytjeve dhe personat në fjalë a janë të gjallë dhe në çfarë gjendje shëndetësore gjenden, mirëpo institucionet kompetente nuk kanë asnjë informatë.

Zëdhënësja e Sektorit të Punëve të Brendshme të MPB-së, Liza Bendevska, në një deklaratë për Portalb, thotë se rast të tillë nuk ka pasur të paraqitur në natën e martë. Madje siç shprehet ajo, as më herët nuk ka pasur të denoncuar se nënë e vajzë janë humbur.

“Po habitemi edhe ne, po na pyesin, por te ne askush nuk ka paraqitur asnjë rast se është gjetur nënë me fëmijë në përmbytjet. Në rast se do të ishin gjetur, të gjallë ose të vdekur, do të kishim informata, se a janë të lënduar ose në çfarë kushte ose rrethana kanë mbijetuar. Por, edhe nëse të njëjtët do të ishin nga ndonjë qytetet tjetër ose do të ishin transferuar në ndonjë spital të qytetit tjetër, do të ishim të informuar sepse bëjmë evidentim të rasteve. Nuk ka pasur as denoncim më herët, se ndonjë vajzë e moshës së mitur bashkë me nënën e saj është humbur. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me ekipet tona në terren dhe institucionet që bashkëpunojmë dhe për çdo informatë do të ju lajmërojmë”, thotë për Portalb, Bendevska.

Portalb, kontaktoi edhe Klinikën Universitare “Nënë Tereza” në Shkup, në rast se atje, natën e martë janë paraqitur pacientë nënë e bijë, për të kërkuar ndihmë, megjithatë ata thonë që nuk ka pasur rast të tillë.

Po jemi të njoftuar me rastin, megjithatë ne nuk kemi pasur pacientë të tillë”, shprehen shkurt për Portalb nga Klinika Universitare.

Lajmëruam te Kryqi i Kuq, fillimisht në numrin “194”, të cilët u shprehën se ata nuk janë kompetentë për rastin në fjalë dhe se duhet të drejtohemi te “Shtëpia e Shëndetit të Shkupit”.

Të kontaktuar nga Portalb, Shtëpia e Shëndetit deklaroi se ata nuk munden të japin deklaratë për rastin në fjalë dhe na thanë se për më shumë duhet të drejtohemi te Ministria e Punëve të Brendshme.

Nuk mund të japim deklaratë për rastin në fjalë. Për informata të tilla duhet të lajmëroheni në Ministrinë e Punëve të Brendshme”, thonë shkurt për Portalb nga Shtëpia e Shëndetit të Shkupit.

Për rastin në fjalë, Portalb ka kontaktuar edhe me Spitalin Kirurgjik të Shkup, në lidhje me atë se mos ndoshta personat në fjalë janë sjellë në këtë spital, megjithatë, fillimisht na thanë se do të na jep deklaratë drejtoresha e spitalit, por më pas nga Spitali thanë se e njëjta është në mbledhje.

Tentuam të kontaktojmë gjithashtu edhe me rrëfimtarin e ngjarjes, banorin nga Hasanbegu, Besim Veseli, i cili dje pohoi se ka shpëtuar në natën e së martës nënën më vajzën e saj të mitur, megjithatë ai ende mbetet i pakapshëm për redaksinë tonë.123132

Megjithatë, Veseli në profilin e tij privat, në “Facebook”, më 9 gusht në ora 23:22 e ka postuar një video me pamje të vërshimeve, në të cilën nuk dihet se ku dhe kur e ka bërë, me mbishkrimin “Sod ndihem shum krenar edhe pse isha pak i lendum po shpetova dy persona nan e bij.o zot qfar tmeri ishteee”.

Besimi, ditën e djeshme në Alsat M, deklaroi se kishte ndaluar në autostradë për të parë dëmet nga vërshimet dhe befas e ka vërejtur në baltë një dorë duke kërkuar ndihmë.

Ai deklaroi se nuk i ka pyetur për emrin pasi thotë se kanë qenë tepër të lodhura, por vetëm se siç deklaron ai “nuk jam i sigurt më duket se vajza e vogël e kishte emrin Venera”. Veseli gjithashtu tha se ai pasi që i ka nxjerrë trupat nga vërshimet, me veturë i ka dërguar deri në lagjen “Maxhari” ku ua ka dorëzuar Ndihmës së Shpejtë dhe pas asaj nuk ka informata se çfarë ka ndodhur me ta.

Më poshtë mund ta ndiqni në video rrëfimin e plotë.

Çfarë dihet e çfarë nuk dihet për rastin në fjalë:

Kush janë personat e shpëtuar?

Në çfarë kushte kanë mbijetuar nga përmbytjet, duke e pasur parasysh se të njëjtat kanë ndodhur më 6 gusht, ndërkaq ata, sipas rrëfimtarit janë gjetur më 9 gusht?

Personi që thotë se i ka shpëtuar dhe i ka dorëzuar në Kryqin e Kuq, çfarë ka ndodhur më pas me personat e “shpëtuar”? Kur dhe ku janë transferuar, në cilin Spital?

Ndonjë familjar ose mik, a i ka denoncuar në polici personat si të humbur, duke e pasur parasysh se, sipas kronikës, personat e humbur, nuk kanë pasur kontakt me askënd për plot 3 ditë?

Megjithatë, i gjithë rasti ndërlidhet te identiteti i personave që siç thotë rrëfimtari i ka shpëtuar.

MPB, duhet të njoftojë në lidhje me atë se personat, që siç thotë rrëfimtari, janë shpëtuar, a kanë qenë të evidentuar më herët si të humbur dhe nëse janë gjetur a janë evidentuar si të gjetur.

Megjithatë, përgjigjja përfundimtare e MPB-së, si institucion kompetent për rastin në fjalë është se “Nuk është paraqitur asnjë denoncim që një nënë me fëmijën e saj janë gjetur në natën e martë, me ose pa lëndime, të gjallë ose të vdekur, andaj edhe nuk ka logjikë që ne ta dimë identitetin e tyre”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button