Vërshimet godasin rëndë zonën ekonomike dëmet llogariten të jenë mbi 15 milion euro

Aparate për amvisëri, teknikë e bardhë, dhe produkte të ndryshme ushqimore mund të gjenden në këtë magazinë. Të gjitha këto mjete ishin të reja, dhe të papërdorura ndonjëherë.

Remzi Isaku i cili në këtë depo ka teknikë të bardhë dhe gjëra për amvisëri thotë që vërshimet i shkatërruan gjithçka që kishte brenda, transmeton TV 21. Ai heziton të flet se sa peshon dëmi që pësoi, por një gjë e thotë qartë: Asgjë më nuk mund të shfrytëzohet nga malli!

“Uji përafërsisht ka arritur 2 metra. Këtu ka teknikë të bardhë, ka çdo gjë për shtëpinë tuaj, gjëra të kuzhinës, ka porcelan, ka xham. 100 % malli është i dëmtuar, përafërsisht 3 depot numër 1, 2 dhe 3 janë të dëmtuara 100%. Kemi informata nga menaxherët tanë të cilët thonë se edhe në terren afër 1 km kanë gjetur mbi 150 paketë jashtë që do të thotë është vlerë shumë e madhe’’, u shpreh Remzi Isaku.

Nga përmbytja e depos, është dëmtuar edhe Ramadan Shabani. Edhe ai shpresat i mban tek shteti, i cili u premtoi si qytetarëve ashtu edhe bizneseve të prekura nga përmbytjet, se do t’i kompensojë për dëmet që pësuan.

“Në këtë magazinë bëhet fjalë për një mall tërësisht të shkatërruar, vështirë është se mund të nxirret diçka që mund të përdoret edhe më tej. Shpresojmë se nga këto xhirime filmike që po bëni tani do të nxjerrim diçka dhe do të marrim ndihmën të cilën na takon nga shteti’’, tha Ramadan Shabani.

Zija Zeqiri thotë se një pjesë e madhe e mallit të tij ka qenë i grumbulluar këtu për shkak të problemit me importin në Selanik dhe se fatkeqësisht i gjithë malli iu shkatërrua.

“Porcelan, qeramikë, mjete që përdoren për ushqim, servisa të ndryshëm, siç po shihet janë të dëmtuara në një masë të madhe. Brenda një muaji i kemi shkarkuar 12 kontejnerë mall dhe është dëmtuar kjo depo dhe ajo depo pak më lartë. Një depo ka 800 metër katrorë, sipërfaqe nëse llogaritet edhe lartësia 3 metra d.m.th ka këtu 2400 metra katror kub. Vlera e këtij malli, vetëm e këtij malli po flasim është mbi 600 mijë euro’’, tha Zija Zeqiri.

Janë mbi 400 kompani që operojnë në zonën ekonomike në Haraçinë të Shkupit. Sipas vlerësimeve të udhëheqësve të kompanive, dëme ka në 20 kompani, ndërsa ai llogaritet të jetë 15 milionë euro.

Këto kompani kërkuan që Qeveria të krijojë një mekanizëm për vlerësimin e dëmeve duke përfshirë institucionet relevante dhe përfaqësues nga grupi i bizneseve. Ata bëjnë thirrje që pasi të kalojë faza e parë e urgjencës, të merren masa konkrete për ndihmë të këtyre.

Vërshimet e 6 gushtit kanë goditur edhe shumë biznese të tjera, që nuk ishin të vendosura në zonën ekonomike. Kështu pësoi edhe S Market Qendra, të cilës uji i përmbysi hapësirën prej 2000 metra katror të mallit, dhe prishi gjithçka. Pronari thotë të jetë dëmtuar për mbi € 2 milionë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button