Ku qëndron problemi, te 40.000 apo te 170.000 votuesit e ‘dyshimtë’?

Pastrimi i Listave Zgjedhore si një parakusht për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të drejta dhe demokratike ishte një kërkesë e LSDM-së. Mënyra se si dolën në pah shifrat kontestuese, prej 40.000 votuesve, të cilët për momentin janë në proces verifikimi, dhe vendosja e 170.000 votuesve në një listë të veçantë e harresa e votuesve fiktiv të Pustecit dhe vendeve tjera, e bëjnë të dyshimtë edhe qëllimin e LSDM-së dhe betejën e saj për zgjedhje të lira dhe demokratike.

Këtij dyshimi i përforcohen argumentet me mënyrën e zgjidhjes së ngërçit medial ose raportimit të medieve, edhe kjo gjë më propozim të LSDM-së, duke i hidhëruar gati se të gjitha shoqatat e gazetarëve në Maqedoni, të cilat nuk po marrin pjesë në ad hok trupin e kontrolluar nga LSDM-ja. Edhe te afër 40.000 votuesit e kontestuar, po ashtu edhe te 170.000 votuesit e pa kontestuar, por të vendosur në një listë të veçantë, pjesa dërmuese e tyre janë shqiptar.

Kjo gjë tregon për harmoninë nacionale që ekziston midis VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së kur janë në pyetje shqiptarët. Votuesit e dyshimtë, 40.000, kanë të drejt që të paraqiten për të kërkuar të drejtën e tyre të votës, ose në të kundërtën do të shlyhen nga lista zgjedhore. Sipas dinamikës së paraqitjes së votuesve të dyshimtë, gjasat janë që një pjesë e madhe prej tyre do të fshihen nga lista zgjedhore, ndërsa kjo metodologji e Listës Zgjedhore, si duket vlen vetëm për këto zgjedhje të parakohshme parlamentare. Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ende nuk është e qartë, por gjasat janë që të kthehet modeli i vjetër i Listës Zgjedhore.

Partitë opozitare shqiptare-jashtë parlamentare, po ankohen te grupi i parë për arsyen se sipas tyre, si votues të dyshimtë që duhet të paraqiten për të drejtën e votës janë shumë familjar dhe anëtar të tyre të partive politike. Në anën tjetër ekzistojnë garanci nga partitë pjesëmarrëse në procesin e Përzhinos, partitë shqiptare, se nuk do të fshihet asnjë votues shqiptar i cili i plotëson kushtet e kërkuara sipas KSHZ-së për të qenë pjesë e Listës Zgjedhore.

Opinioni i këtushëm dhe ai ndërkombëtar si duket është koncentruar vetëm te 40.000 votuesit e dyshimtë duke i harruar 170.000 votuesit që shumica janë shqiptar e të vendosur në listë të veçantë. Grupi i dytë i votuesve prej 170.000 nuk po paraqiten si të dyshimtë, mirëpo sipas të dhënave në KSHZ ata nuk kanë të drejt vote në Republikën e Maqedonisë ( për këto zgjedhje parlamentare), por vetëm në ambasadat dhe konsullatat Maqedonisë. Kjo finesë e hollë, e parëndësishme në shikim të parë mund të jetë tepër e dëmshme në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ku shumë shqiptarëve do t`i merret e drejta e votës dhe kjo gjë do të ndikoje në uljen e deputetëve shqiptar në Parlament.

Në këtë mënyrë, 170.000 votuesit, ku shumica janë shqiptar po kufizohen në 3 deputet të cilët nuk ka mundësi t`i fitojnë për arsyen e thjeshtë se në MPJ të Maqedonisë,shqiptarët janë shumë pak të përfaqësuar. Kjo gjë ndoshta është më keq sesa fshirja prej Listës Zgjedhore, për arsye se në këtë mënyrë po kufizohen një trup votuesish aktiv nga mërgimi të cilët zakonisht gjatë zgjedhjeve parlamentare kanë ardhur për t`i ndihmuar partive të ndryshme shqiptare për të fituar ndonjë deputet plus. Në mesin e të gjitha këtyre kalkulimeve si garantues qëndron faktori ndërkombëtar i cili kujdeset për zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button