AJO – e dalura nga ëndrrat për t’u tallur me ty

Mrekullitë e botës zbeheshin para bukurisë së saj
Lëvizja e brishtë e qerpikut si vetëtimë të shponte mu në mes të zemrës
Sytë e saj fshihnin oqeane e ti përmyteshe me dëshirë në ato ujëra
Shpërthenin vullkanet në çdo përplasje shikimesh, 
T’i hidhte sytë – të përvëlonte ty
Më pastaj të buzëqeshte për  të ta shuar djegien
Buzëqeshje tinzake, ca nektar e ca pelin
Përplot gonxhe e manushaqe të tretura në ngjyrën e buzëve të saj
Floku i saj i shpëlarë në ar rrezonte më bukur se dielli në korrik
Lëkura e njomë i rëndohej nga perlat, 
Çdo kokër perle ish e larë në aromën e qafës së saj, aromë pranvere
Të ngrinte gjaku nga madhështia e saj
Plot sharm e elegancë derdhej në lëvizjet që bënte.
Kish vjedhur shumë nga shkëlqimi i Hënës ajo
Tekanjoze, andaj ti ia falje këte gabim.
Çdo trokëllime e takeve të saj dhuronte graciozitet.
Të afrohej lehtas e ti harroje dhe emrin tënd para saj.
Të vdiste e të ringjallte atypëraty me shumë delikatesë.
Ti çakërdisesh, të ikin mentë, 
Bëhesh qilim sikur vetëm të të puthnin shputat e saj.
 Neglizhimi i saj të torturon e torturon më keq se njëzet kamxhikë.
Je rob i saj me dëshirë,
Je skllav i saj me kënaqësi
E do shumë, sikur mos dish se si ndyshe
Sikur mos mundet ndryshe
Dashuri deri në dhembje, shkatërrim vetveteje…. 
Dashuri  e pastër, me shpirt, deri tek yjet,  e përjetshme
E do dhe pa e parë
E do dhe pa e prekur
Sepse ti krijon prezencën e saj në mos prezencë 
Sepse ti  shikon qiellin dhe e sheh atë, e qëndis pamjen e saj me yje 
Sepse ti e puth në çdo thithje të cigares së mallkuar
Sepse e ledhaton në çdo tymosje
Sepse bën dashuri me të në çdo gllënkë të alkoolit që pi
E don dhe mospërfilljen e saj
E don dhe pritjen e saj
E don dhe injorimin e saj
E don dhe zhdukjen e saj për t’u shfaqur sërish pastaj
Ah ajo, si nikotina që rrjedh në enët e tua të gjakut
Është burim i dashurisë dhe vuajtjes për ty
Ti e do dhe vuan vuan dhe e  do
E kjo s’ka fund
Ajo – mëkati yt
Mëkat që ti e bën pa vepruar
Ngaqë  është burim i dashurisë tënde – bekimi yt
Ngaqë  është burim i vuajtjes tënde – mallkimi yt

Ah  ta përqafoje do vdisje, por dhe do vdisje për një përqafim
Për të e rrefuzoje dhe parajsën pa hezitim
Kishe frikë ta kishe, se kishe frikë ta humbësh…ATË
…të dalurën nga ëndrrat për t’u tallur me ty.

Lajme të ngjashme

Back to top button