Tahiri : Pa zbatimin e marrëveshjeve, s`ka Asociacion

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka pritur dje në takim një delegacion të Bashkimit Evropian të kryesuar nga Thomas Busch. Qëllimi i këtij takimi ka qenë shqyrtimi i gjendjes në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit me fokus të veçantë për zhbllokimin e atyre të cilat nuk po zbatohen nga ana e Serbisë.

Tahiri tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për dialogun për fqinjësi të mirë sepse është shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe për integrimin e Kosovës në BE, ku fqinjësia e mirë është njëra nga kushtet kryesore.

“Mbi këto baza, dialogu i Brukselit ka ndihmuar shumë Kosovën në rrugën e integrimit evropian, çka është konfirmuar me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së dhe rekomandimin për liberalizimin e vizave. Për këto arsye ne edhe kemi qenë gjithnjë serioz në zbatimin e të gjitha obligimeve që dalin nga Marrëveshjet e Brukselit”. Mirëpo, tash e sa kohë Serbia ka bllokuar zbatimin e marrëveshjeve për çështjen e kodit telefonik shtetëror për Kosovën, pavarësimin e KOSTT-it dhe largimin e barrikadës nga ura e Mitrovicës dhe kthimin e saj në një urë bashkuese të lëvizjes së lirë, theksoi Tahiri.

“Në takimet tona në Bruksel, unë ju kam informuar në vazhdimësi dhe në mënyrë të argumentuar se Serbisë po i mungon vullneti politik për zbatimin e këtyre marrëveshjeve që janë të një rëndësie të madhe për Kosovën dhe në qershor të këtij viti ju kemi paraqitur raportin e Qeverisë së Kosovës për gjendjen në zbatimin e marrëveshjeve për periudhën janar- qershor 2016. Por, për fat të keq ende nuk kemi një zhbllokim të procesit, përkundër angazhimeve tuaja maksimale si BE për heqjen e pengesave për zbatim”, potencoi Tahiri.

Ajo më tutje ka ritheksuar se mos zbatimi i marrëveshjeve për kodin shtetëror për Kosovën, fillimin e funksionimit të pavarur të sistemit të transmisionit të energjisë së Kosovës (KOSTT), marrëveshje këto të cilat tash e pesë vite janë në tryezën e bisedimeve në Bruksel, përbën një shkelje serioze të marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë.

“Qëndrimi jonë si Qeveri për këtë situatë është i qartë dhe i njohur për juve si BE, se pa u zbatuar këto tre marrëveshje të rëndësishme për neve, nuk do të ndërmarrim asnjë hap rreth zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Si dhe që ky Asociacion nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe as nuk do të jetë një nivel i tretë i qeverisjes, sepse këto kompetenca nuk i lejohen nga ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës, dhe se Marrëveshja bazohet në ligjet e Kosovës, tha Tahiri.

Ministrja për Dialog po ashtu tha se derisa Serbia ka bllokuar proceset zbatuese të dialogut të Brukselit, ajo në anën tjetër ka vazhduar me veprimet e saja destruktive ndaj Kosovës duke ndërhyrë ilegalisht me pretendimet për ndërtime ilegale në veri të vendit me synime djallëzore të ndryshimit të strukturës etnike.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian rikonformuan qëndrimin e tyre se palët në këtë dialog duhet të jenë koherente dhe konsistente në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së dhe premtuan që për këtë qëllim do të jenë në kontakte të vazhdueshme me të gjitha palët për implementimin obligimeve të tyre, transmeton Klan Kosova.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button