Partitë arritën pajtueshmëri për ligjet

Partitë politike parimisht arritën pajtim rreth përmbajtjes së të gjitha ligjeve që duhet të miratohen në kuvend si rezultat i Marrëveshjes politike të 20 korrikut. Pas bisedimeve maratonë që u zhvilluan në Ministrinë e Drejtësisë, VMRO dhe LSDM konfirmuan se janë finalizuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me mediat, Qeverinë kalimtare dhe Ministrinë e Brendshme, transmeton Alsat M.

Sipas Nikolla Todorov nga VMRO-ja, ligjet së shpejti do të gjenden përpara deputetëve për t’u miratuar në afatin e parashikuar me Marrëveshjen e fundit politike.

Megjithatë sipas Radmilla Sheqerinskës nga LSDM-ja, ndryshimet në ligjin për media nuk ofrojnë zgjidhje të qëndrueshme për sferën mediatike. Sipas Sheqerinskës, ligji i propozuar më herët nga eksperti belg Piter Vanhojte përbënte zgjidhje më të mirë për mediat.

Në bazë të Marrëveshjes politike, reformat në media parashikojnë formimin e një trupi rregullator i cili do të monitorojë mediat 100 ditë përpara zgjedhjeve. Ky trup do të përbëhet nga 5 anëtarë. Secila parti do të propozojë nga një, ndërsa anëtari i pestë do të emërohet me konsensus nga të gjitha palët. Gjithashtu LSDM-ja do të emërojë kryeredaktorin e shërbimit publik.

Nga ana tjetër Qeveria teknike do të formohet 100 ditë përpara zgjedhjeve, ndërsa ministrat e LSDM-së do të japin dorëheqje pas shpalljes zyrtare të rezultateve zgjedhore nga KSHZ-ja. Ndërkaq Ministri i brendshëm do të mund të bëjë ndryshime kadrovike të posteve udhëheqëse në 15 sektorë të ndryshëm në dikasterin e brendshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button