Lëvizja BESA–Kumanovë: Këto janë dy provokimet më të reja të BDI-së për kumanovarët

Lëvizja BESA – Kumanovë ka reaguar sot në lidhje me informatën se në përvjetorin e vrasjes së Xhemail Rexhepit të njohur me nofkën komandant “Shqiponja”, Gjykata themelore e Kumanovës, ka marrë vendim që të akuzuarit për veprën Bajram Limanit t’ia zëvendësojë masën e paraburgimit, me arrest shtëpiak.

“Ali Ahmeti bashkë me Nikolla Gruevskin që moti kanë filluar ta injorojnë dhe tallen me shqiptarët e Kumanovës. Siç dihet, Ahmeti që nga vrasja e Komandant Shqiponjës asnjëherë nuk ka qenë t’i vizitojë më banorët e Lagjes së Trimave, por as qytetin e Kumanovës. Sikur të mos ishte boll kjo, provokimi i fundit i Ali Ahmetit dhe i pushtetit të tij erdhi këto ditë me lirimin e vrasësit të komandant Shqiponjës, që ndodhi pikërisht në shënimin e përvjetorit të vrasjes së tij. E quajmë provokim të rëndë për shqiptarët e Kumanovës lirimin e vrasësit të tij (ndryshe, mik i afërt i A. Ahmetit), çfarëdo që të kenë arsyet për këtë, sepse Komandant Shqiponja ka qenë dhe do mbetet emblemë e UÇK-së për Kumanovën dhe jo Ali Ahmeti. “ thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Lëvizja BESA – Kumanovë ka kërkuar sqarim edhe nga zëvendësministri i Punëve të Brendshme, që është nga radhët e BDI-së, Agim Nuhiu lidhur me rrahjen dhe thyerjen e këmbës së Sevdail Miftarit (nga grupi i akuzuar në rastin “Lagjja e Trimave”) nga ana e njësitit special policor menjëherë pas përfundimit të seancës gjyqësore, ku Sevdaili kishte reaguar pasi e kishte marrë vesh të vërtetën nga ana e dëshmitarit të mbrojtur për kapjen e Mirsad Ndrecajt.

“ Duke u bazuar në këto fakte, e ngremë zërin e arsyes dhe tërheqim vërejtjen se partia shqiptare në pushtet po e mbush kupën me dëmet që ua shkakton shqiptarëve, veçmas atyre të Kumanovës. Me këtë rast nuk mund të mos pyesim se deri ku e ka ndër mend kjo parti ta denigrojë dhe poshtërojë dinjitetin e shqiptarit të Maqedonisë? “ thuhet në komunikatën e kësaj partie.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button