Lavrov: Bashkëpunimi me Turqinë varet nga zgjidhja e krizës siriane

Rikthimi i besimit midis Turqisë dhe Rusisë në masë të madhe varet nga bashkëpunimi i tyre mbi krizën në Siri, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, raporton Anadolu Agency (AA).

“Nuk bëhet fjalë vetëm mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe tregtinë, investimet dhe projektet e përbashkëta. Bëhet fjalë për bashkëpunim për zgjidhjen e krizës siriane”, tha Lavrov, duke folur në Forumin e Rinisë në Vladimir në perëndim të Rusisë.

Turqia dhe Rusia më 29 qershor normalizuan marrëdhëniet të cilat ishin prishur pas nëntorit të vitit 2015.

Presidenti rus Vladimir Putin ka nënshkruar një dekret për heqjen e sanksioneve në lidhje me shitjen e turneve turistike dhe fluturimeve çarter në Turqi.

Marrëdhëniet mes Ankarasë dhe Moskës u tensionuan pasi avionët turq më 24 nëntor 2015 vërejtën dhe më pas qëlluan avionin rus Su-22, i cili e kishte shkelur hapësirën ajrore turke në zonën kufitare me Sirinë.

Vladimir Putin dhe Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan javën e kaluar zhvilluan një bisedë telefonike, ndërsa presidenti rus me atë rast tha se Rusia mbështet qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike në Republikën e Turqisë dhe i dërgoi një mesazh ngushëllimi Erdoğanit, familjes së tij dhe të gjithë kombit turk për vuajtjet e njerëzve si pasojë e tentativës për grusht shteti.

Erdoğan dhe Putin kanë rënë dakord për të zhvilluar një takim gjatë javës së parë të gushtit.

Rusia kërkoi që presidenti Bashar al-Assad të jetë pjesë e procesit të tranzicionit në vend, ndërsa Turqia, e cila në vitet e fundit pranoi rreth tre milionë refugjatë sirianë, në mënyrë kategorike kundërshton qëndrimin e Asadit në pushtet, duke patur parasysh se regjimi i tij është përgjegjës për vdekjen e mijëra sirianëve.

Forcat ajrore ruse filluan sulmet në Siri në fund të shtatorit vitin e kaluar. Edhe pse sulmet janë paralajmëruar në kuadër të luftës kundër terroristëve të DAESH-it, avionët rusë godasin pozicionet e opozitës së moderuar siriane në Idlib, Homs dhe Halep.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Turqia kanë kritikuar intervenimin rus në Siri, duke thënë se në sulmet ajrore ruse pësojnë kryesisht civilët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button