Krasniqi: Politikës kosovare i mungon morali

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se është koha e fundit që politika kosovare ta instalojë institucionin e moralit brenda veprimit të saj.

Krasniqi, edhe pse ka theksuar se nuk dëshiron që të përzihet në vendimet të cilat i marrin gjykatat, mendon se vendimi i cili është shqiptuar për të parin e Prizrenit është paksa i çuditshëm, “përderisa ka pasur keqpërdorim të pronës publike, që nuk është punë e vogël”.

“Mendoj se morali duhet të jetë vlerë e partive politike dhe që, anëtarët e tyre, në momentin që dyshohen për kryerjen e ndonjë vepre që sanksionet me ligj, të japin dorëheqje. Konsideroj që edhe ligji duhet që të rregullohet asisoj: individët të cilët dyshohen për keqpërdorim të pozitës së tyre, të japin menjëherë dorëheqje dhe ta presin vendimin përfundimtar të gjykatës”, ka thënë Krasniqi për Telegrafin.

Ndërkaq, për deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës, Basi Musmurati, i cili ka thënë se pas zgjedhjeve të gjitha partitë do të ngarendin pas PDK-së, kryetari i Këshillit Kombëtar të partisë Nisma për Kosovën, ka theksuar se, “nuk e ka të qartë se në cilat parti ka aluduar Musmurati”, duke shtuar se Nisma ka vizion të qartë për rrugën e saj.

Lajme të ngjashme

Back to top button