Hoxhaj: Kosova e interesuar të përfitojë nga ekspertiza e Këshillit të Evropës

Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur në takim shefen e re të Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Gallucci, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, Hoxhaj ka vlerësuar lartë qasjen konstruktive që zyra e KiE-së në Prishtinë ka patur në realizimin e projekteve dhe asistencën e rëndësishme që i ka ofruar Kosovës.

“Kosova është e interesuar të zhvillojë marrëdhëniet dhe të përfitojë nga ekspertiza e Këshillit të Evropës me qëllim përmirësimin e qeverisjes dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë”, ka thënë ministri Hoxhaj.

Hoxhaj dhe Gallucci çështje me prioritet i kanë vlerësuar projektet e KiE-së me theks në programin më të fundit të njohur si “Lehtësimi Horizontal për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë”.

Ministria e Jashtme e Kosovës sqaron se ky program mundëson që Kosova të përfitojë në ngritjen e kapaciteteve në fushën e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të gjykatave dhe përmirësimin e gjendjes së burgjeve në kuadër të mekanizmit monitorues për parandalimin e torturës si dhe rritjen e cilësisë së edukimit dhe përfshirjen e komunitetit RAE në edukim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button