Mustafa: Përkundër dhunës ekonomia e Kosovës u rrit me 4 përqind

Këshilli Kombëtar për Zhvillim Ekonomik të Kosovës sot në Prishtinë mbajti mbledhjen e saj të gjashtë ku të pranishëm ishin kryeministri Isa Mustafa, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, raporton Anadolu Agency (AA).

Në hapjen e këtij takimi minstrja Bajrami tha se të gjitha statistikat dhe institucionet kredibile konfirmojnë se gjatë këtij mandati ka pasur një përmirësim të konsiderueshëm të biznesit.

Ajo bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe, ka patur përmirësim të shtatë indikatorëve, sidomos në eliminimin e burokracisë, uljen e taksave dhe procedura tjera në marrjen e lejeve dhe të licencave. Bajrami, gjithashtu njoftoi se të gjitha reformat në ekonomi i kanë bazuar në tri dokumente, te Strategjia kombëtare për zhvillim ekonomik, Programi i reformave ekonomike dhe Plani Kombëtar për zbatimin e MSA-së.

Duke folur për projektet dhe investimet e deritashme të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, Bajrami u shpreh se tani është në funksion edhe Fondi për garanci kreditore, i cili ka 6 milionë, një pjesë të së cilës ministria dhe donatorët e tjerë kanë disbursuar, dhe se pjesa tjetër është në proces.

“Ambienti i biznesit po përmirësohet. Ne kemi arritur të kemi më shumë investime të huaja. Në këtë gjashtë mujor numri i bizneseve me pronar të huaj është rritur për 36 përqind. Numri i bizneseve me pronare gra është rritur për 31 përqind. Statistikat tregojnë që ka trende shumë pozitive. Jo vetëm statistikat por dhe institucionet kredibile siç është Banka Botërore. Një raport i Bankës Botërore që ka të bëjë me indikatorët e qeverisjes rregullatorë, Kosova ka shënuar progres të konsiderueshëm, nga nota 2.6 në vitin e kaluar, është notuar me notën 4.6. e nota maksimale është nota 6”, theksoi Bajrami.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në fillim të fjalimit të tij potencoi faktin se që nga marrja e mandatit është penguar nga opozita dhe nga një opinion, të cilit i është imponuar çështja e Demarkacionit dhe Stabilizim Asociimi. Ai bëri të ditur se, përkundër këtyre pengesave kanë arritur që ta vënë në rend të parë axhendën ekonomike të qeverisë. Mustafa shtoi se ky zhvillim, është i atillë që krijon mburje, por jo ai që synohet dhe pritet.

“Ne kemi një rritje ekonomike të vitit të kaluar rreth 4 përqind, që është rritja më e lartë në rajon, e cila është arritur përkundër dhunës, gurëve, gazit lotsjellës e koktejit të molotovit, me të cilët ne jemi ballafaquar në mënyrë shumë të ashpër gjatë vitit të kaluar. Prandaj mund të them se kjo qeveri ka kapërcyer sfidat dhe është treguar e suksesshme në implementimin e axhendës ekonomike”, u shpreh Mustafa.

Ai shtoi se vitin e kaluar është arritur të absorbohen rreth 324 milionë euro të investimeve të huaja direkte, e cila është një rritje dy herë më e madhe sesa e viteve të kaluara. Duke folur për rritjen e bizneseve me pronarë të huaj dhe gra, Mustafa u shpreh se ky është një faktor i rëndësishëm i politikave dhe të synimeve të vendit.

Mustafa gjithashtu theksoi se me ministritë dhe institucionet vendore mundohen të zgjidhen kontestet biznesore. Ai shtoi se edhe Banka Botërore ka pranuar se është treguar një progres të madh, duke kapërcyer 30 vende gjatë një viti, dhe prej 187 vendeve Kosova nga vendi 73-të është ngjitur në vendin e 43-të. Pas këtyre rezultateve, Mustafa theksoi se tani ka besueshmëri më të madhe dhe se pesimizmi ka rënë ku ka një optimizëm më të madh për të krijuar biznese në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button