Era Istrefi: Ajo që ndodhi ishte mrekulli…

Prej kohësh, Era Istrefi është bërë pjesë e intervistave në mediat ndërkombëtare pas suksesit të hitit “Bonbon”, e cila tanimë dëgjohet në ҫdo cep të Europës e më gjerë. Pas disa mediave gjermane, ku këngëtarja nga Prishtina foli për suksesin e këngës së saj, një ditë më parë, ajo ka qenë e pranishme në një radio holandeze, për të cilën ka rrëfyer më shumë për këngën dhe historikun e krijimit të saj.

“Bonbon” është bërë tashmë një hit ndërkombëtar dhe, siҫ tregon vetë këngëtarja, një prej arsyeve që e kanë renditur këngën në top listën e hiteve të fundit ka qenë edhe gjuha shqipe: “Ka pak mister në gjithҫka, por mendoj se është gjuha shqipe që u tingëllon shumë bukur njerëzve, por po ashtu edhe muzika që kam shkruar dhe zhanri që unë dhe producentët e mi kemi zgjedhur, është diҫka krejtësisht e re  dhe e freskët për të gjithë botën. Mendoj se kjo ka qenë një ndër arsyet pse kënga është pëlqyer”,– tregon Era ndërsa vijon ende të jetë e mrekulluar nga suksesi i këngës: “Kur ‘Bonbon’ u bë e famshme në të gjithë botën ishte si një mrekulli për mua, sepse nuk e kisha menduar kurrë që një këngë shqiptare të bëhej kaq e famshme, e kam fjalën për këngët që këndohen në gjuhën shqipe. Ndaj edhe e gjitha ishte si një mrekulli, aq sa pata një moment që thashë: “Uaaauu, ëndrrat me të vërtetë u bëkan realitet”, – tregon ajo.

Këngëtarja nga Prishtina, e cila ҫdo ditë e më shumë po krahasohet me emra të mëdhenj të muzikës si Sia apo Rihanna, tregon se në të ardhmen do të synojë tregun amerikan, ndaj edhe do të këndojë në gjuhën angleze, edhe pse dëshiron që në të njëjtën kohë të ndajë me të gjithë edhe atë pjjesë të kulturës shqiptare që bota nuk e njeh. Edhe pse ka treguar se një prej arsyeve që kënga ka pasur sukses është pikërisht tingulli i gjuhës shqipe, nga ana tjëtër, Era është pyetur përse atëherë ka preferuar që ta sjellë këngën edhe në versionin anglisht: “Këtë e bëra për marketing, – thotë ajo,- për të synuar tregun amerikan, për radiot amerikane, por gjithashtu për këdo që do ta dëgjojë dhe që më ka pyetur me mijëra herë për të.”

Në kohën që ka shkruar këngën, Era tregon se është frymëzuar nga të gjitha femrat që kanë nevojë të dashurohen nga dikush, por pa harruar të theksojë se, mbi të gjitha, vlerësimi për veten është më i rëndësishëm: “Duaj veten ka mbetur si klishe në fakt, – tregon ajo -, por në të vërtetë, është gjëja më e shëndetshme dhe më e rëndësishme për secilin nga ne. Asnjë njeri nuk lind me dashurinë për veten, por duhet ta krijojë atë gjatë rrugës.”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button