Maqedoni, ja arsyeja pse bllokohen bisedimet partiake

Kufizimi i kompetencave të Ministrit të Punëve të Brendshme me ndryshimet e fundit ligjore, ka bllokuar bisedimet mes partive politike për kapërcimin e krizës politike.

Në fakt, me ndryshimet në Ligjin për policinë dhe punë të brendshme, ministri do të ketë kompetenca të kufizuara, apo nuk do të mund të caktoj kryeshefat e njësiteve policore pasi zgjedhja e tyre do të bëhet nga drejtorët e drejtorisë për zbulim dhe kundërzbulim dhe të drejtorisë për siguri publike, të cilët do të zgjidhen nga qeveria së bashku me sekretarin shtetëror, i cili gjithashtu për punën e tij organizative në ministri, do të përgjigjet para qeverisë dhe jo ministrit të brendshëm, shkruan REL.

Janë bërë edhe ndryshime tjera që i pamundësojnë ministrit formimin e një ekipi për të udhëhequr me këtë dikaster, që në rast të arritjes së marrëveshjes mes partive për qeverinë kalimtare, do të udhëhiqej nga Lidhja Social-Demokrate, që është në opozitë.

Nga LSDM-ja, publikisht nuk prononcohen, por thonë se thelbi i ndryshimeve qëndron pikërisht në zhveshjen e ministrit të brendshëm nga kompetencat, në momentin që ky dikaster do të drejtohej nga kuadër i saj.

Ngecjen e bisedimeve e ka konfirmuar edhe ambasadori i BE-së, Aivo Orav, por pa saktësuar se për cilën pikë kontestuese bëhet fjalë.

“Për shumë çështje është arritur marrëveshje, por ka mbetur edhe një çështje për të cilën nuk u arritur zgjidhje. Për fat të keq, palët në bisedime nuk ishin në gjendje të arrijnë marrëveshje, por shpresoj se do të vazhdojmë sa më shpejtë të jete e mundur”,ka deklaruar ambasadori evropian, Orav, i cili së bashku me ambasadorin e SHBA-së,Jess Baily, po ndërmjetësojnë bisedimet mes katër partive politike.

Ish Ministri i Punëve të Brendshëm, Pavle Trajanov, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ndryshimet e bëra nga partitë në pushtet në procedurë të shpejtuar dhe pa praninë e opozitës janë të dëmshme për gjithë procesin politik. Trajanov thotë se veprimet e tilla janë të qëllimshme nga partitë në pushtet, të cilat janë të vetëdijshme se në rast të marrëveshjes politike dhe formimit të qeverisë kalimtare, me ministrinë e brendshme do të udhëheq Lidhja Social-Demokrate.

“Me këto ndryshime, opozita nuk ka nevojë të udhëheq me ministrinë e brendshme, pasi objektivisht nuk do të ketë çfarë të drejtoj. Atij askush për asgjë nuk do ti përgjigjet pasi të gjitha kompetencat kalojnë në drejtoritë që emërohen nga qeveria”,thotë Trajanov.

Njohësit e çështjeve politike, thonë se pas ndryshimeve të tilla, fshihen edhe qëllime tjera të pushtetit, që para se gjitha kanë të bëjnë me listat zgjedhore, pastrimin e saj, korrupsionin dhe dukuri të tjera negative gjatë cikleve zgjedhore.

Analisti Albert Musliu, thotë se pa tërheqjen e këtyre vendimeve, nuk mund të pritet ndonjë zgjidhje e krizës politike.

“Nëse këta nuk tërhiqen vlerësoj se nuk ka kuptim që një marrëveshje eventuale edhe të zbatohet pasi opozitës nuk i duhet një ministri e brendshme pa kompetenca. Pra, unë e shoh të palogjikshme nëse opozita hynë në negociata pa kthimin e gjendjes që ishte para nëntorit të vitit 2015”, thotë Musliu.

Partitë, siç kanë bërë të ditur përfaqësuesit e tyre, parimisht janë pajtuar për modalitetet e pastrimit të listës zgjedhore dhe reformat në media, përmes emërimit të një këshilli të posaçëm për mbikëqyrjen e raportimit të mediave, por, sipas opozitës, të gjitha pikat e dakorduara nuk do të kishin efekt, nëse nuk tërhiqen ndryshimet e bëra në Ligjin për punë të brendshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button