Moti i keq godet Europën Qendrore-Lindore

Zona të tëra të Italisë dhe Francës ndodhen të rrezikuara nga përmbytjet, teksa reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar kaos në pjesë të ndryshme të Europës.

Qindra njerëz janë detyruar të evakuohen nga shtëpitë e tyre në qytetin italian të Pizës, pasi lumi Arno kërcënonte të dilte nga shtrati gjatë së premtes.

Stuhitë detare priten të shkaktojnë përmbytje në shkallë të gjerë përgjatë bregdetit Atlantik të Francës. Ndërkohë, dëbora e dendur ka lënë dhjetra persona të bllokuar në Serbi.

Zyrtarë lokalë kanë deklaruar gjendjen e emergjencës dhe kanë nisur ekipet e shpëtimit për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar në mjetet e tyre. Stuhitë e dëborës dhe erërat e forta po drejtohen drejt Europës lindore.Media italiane njofton se një mur mesjetar rreth 30 metra i gjatë në rajonin Volterra, në provincën e Pizës, është rrëzuar si pasojë e reshjeve të dendura.

Departamenti francez i Finistere, në perëndim të vendit, është vendosur në gjendje gatishmërie, pasi parashikuesit e motit kanë paralajmëruar për valë të mëdha dhe të gjera përmbytjesh. Edhe 10 departamente të tjera në Francë ndodhen gjithashtu nën efektin e alarmit, për rritjen e nivelit të ujrave.

Të paktën 2 persona vdiqën dhe dhjetra të tjerë u deshën ndihmuar përmes ajrit, pasi përmbytjet goditën jug-lindjen e Francës, në fillim të këtij muaji. Disa stuhi kanë goditur Europën në pjesën më të madhe të muajit Janar.

Lajme të ngjashme

Back to top button