Nuland shpresa e fundit për zgjidhjen e krizës?

Pas vizitës së fundit të ndërmjetësuesit special gjerman Johanes Hajndëll, partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinos u ulën prapë në tavolinë për ta vazhduar dialogun politik, por pa rezultate konkrete. Të hënën për vizitë në Maqedoni do të qëndrojë ndihmës sekretarja e SHBA-së Viktoria Nuland.

Njohësit e çështjeve politike thonë për Portalb se vizita e diplomates amerikane është shpresa e fundit për Maqedoninë, për zgjidhjen e krizës. Sipas tyre, pritet që Nuland të bëjë kthesë në rrugën e zgjidhjes së krizës.

Një diplomaci agresive do t’i gjunjëzonte penguesit e reformave

“Është treni i fundit për Maqedoninë që të zgjidhë krizën pa pasoja më të mëdha. Në të kundërtën, na pret një periudhe e paqartë dhe e rrezikshme shkaku i izolimit ndërkombëtar në të cilin po zhytet vendi. Sanksionet financiare që filluan t’i vihen qeverisë do të kenë ndikim tepër negativ për të gjithë qytetarët e vendit. Pra, janë qytetarët ata që do ta paguajnë faturën e joseriozitetit dhe papërgjegjësisë së politikanëve. Unë jam optimist se vizita e të dërguarit gjerman Johanes Hajndëll dhe e ndihmës-sekretares amerikane Viktoria Nulland do të rezultojnë me sukses pasi shënojnë një fazë të re të qasjes së perëndimit në raport me zgjidhjen e krizës në Maqedoni”, tha për Portalb, analisti Xhelal Neziri.

Kjo qasje, shton më tej Neziri, nënkupton një diplomaci më agresive, e cila ka shumë gjasa që të gjunjëzojë penguesit e procesit të implementimit të Marrëveshjes së Përzhinës.

Njohësi i çështjeve politike, Ibrahim Mehmeti vlerëson se pushteti duket se është duke u bërë gjithnjë e më nervoz dhe po i ashpërson politikat e saja që kanë për qëllim asgjësimin e cfarëdo opozite ndaj saj.

“Vizita e Nuland mund të bëjë kthesë në drejtim të zgjidhjes së krizës nëse do t’ia bëje të qartë Qeverisë se politikat jodemokratike nuk do të tolerohen mëtutje, por me kusht që opozita vendase t’i rreket më seriozisht punës në dekonstruimin e proceseve që e largojnë vendin nga proceset euro-atlantike”, tha për Portalb Mehmeti.

Diplomacia t’a përdorë “karotën dhe shkopin”

Sipas analistit Selim Ibraimi, kështu ishte raporti i forcave në vitin 2015 para ardhjes së diplomates amerikane në Shkup. Tani një vit pas-thotë ai, nuk shohim ndonjë ndryshim të madh nga presioni i fundit ndërkombëtar para dhe pas nënshkrimit të MP.

“Procesi ka ngecur dhe është bërë shumë pak përparim. Diplomacia gjermane nën presionin e BREXIT nuk mund t’i konkretizojë qëndrimet e UE në Maqedoni. Tani karota dhe shkopi nëse nuk përdoren nga Nuland, atëherë me siguri se do të kemi kritika më të ashpra nga Rusia për sa i përket “përzierjes së Ambasadës Amerikanë në Shkup në punët e brendshme të Maqedonisë”. Lufta informative në mes Kremlinit dhe Uashingtonit tashmë ka filluar në Maqedoni. Andaj Nuland mund të ushtrojë presion më të madh dhe SHBA këtë mund ta bëjë në Maqedoni”, nënvizoi Ibraimi.

Ai thotë se kriza nuk do të përfundojë derisa nuk krijohet Gjykata Ndërkombëatre dhe të gjithë të deklarohen se do ta luftojnë korrupsionin.

“Me një qeveri teknike në Maqedoni mund të zgjatet efekti i krizës, por jo të ndërtohet shteti juridik dhe i barabartë për të gjithë. Kohezioni socio-etnik do të jetë vendimtar për Maqedoninë. Ashtu siç njoftoi Ambasadori Jess L Baily, SHBA ka ndihmuar me mbi 55 milionë dollarë sistemin gjyqësorë dhe përsëri mendoj se SHBA me hapa konkretë mund të gjejë formë tjetër të qeverisjes pra të formimit të një koalicioni qeveritar të përkohshëm deri në zbatimin e reformave, largimin e politikanëve të korruptuar dhe ndërtimin e një Maqedonie pro perëndimore”, përfundoi Ibraimi./PORTALB

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button