Gazetari që nuk “mërzitet” për standardet

[Recension: “Pasuria natyrore e Strugës po shkatërrohet, turistët në ikje ndërsa Sela nuk “mërzitet”?!”]

Pretendimet e pabaza janë të dëmshme për profesionalizmin në gazetari. Besueshmëria e informacionit që transmetohet varet shumë nga sasia e fakteve dhe dëshmive që ofrohen. Në mungesë të tyre, teksti shndërrohet në spekulim. Problematike në këtë tekst është mungesa e burimeve relevante dhe qëndrimi i subjekteve që janë të trajtuar në lajm.

Zhurnal - Pasuria natyrore e Struges po shkaterrohet 1Linku derit e artikulli origjinal: “Pasuria natyrore e Strugës po shkatërrohet, turistët në ikje ndërsa Sela nuk “mërzitet”?!”

Data dhe koha e publikimit: 29.06.2017, 10:53

Data e recensionit: 30.06.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Lajmi që Struga “këtë sezon” shënon rënie drastike të turistëve nuk mban, sepse akoma jemi fare në fillim të sezonit. Teksti ka vetëm një burim, anonimiteti i të cilit, i papërcaktuar në mënyrë plotësuese, vë në pikëpyetje autenticitetin e tij. E gjithë pjesa tjetër është një koment që “nuk ia ka këmbët mbi tokë” në aspekt të kërkesave profesionale për një përmbajtje informative. Ankesat e qytetarëve (shumës) përmenden, por nuk janë transmetuar.

“Qyteti i Strugës po shënon rënie drastike për sa i përket turizmit. Turistët këtë sezon po i ikin Strugës. Arsyet për këtë janë të shumta, çmimet për ndeje janë astronomike si dhe kushtet ekologjike janë nën nivel. Ankesat e shumta të qytetarëve të Komunës së Strugës hasin në vesh të shurdhur dhe autoritetet komunale nuk kanë përkushtim maksimal për menjanimin e të njejtave si dhe përmirsimin e kushteve  për turistët.”

Komuna e Strugës vetëm përmendet si fajtor për problemin, por nuk është kërkuar llogari nga ajo për mungesën e efikasitetit në punës së saj (nëse gjendja është e tillë siç pretendohet nga autori). Akuzat janë të rënda, kurse tendenca për të mësuar të vërtetën mungon dukshëm. Fakti që komuna e Strugës ose kryetari i saj Ziadin Sela nuk është kontaktuar fare, profesionalisht, më tepër e largon përgjegjësinë nga ky institucion.

“E para qe duhet të bëhet është që të përmirësohet infrastruktura. Duhet ta ndjekim shembullin e shteteve përreth ku turizmi është dukshëm në rritje. Struga përskaj infrastrukturës së dobët ku turistët kanë ankesa të shumta, pastërtia në këtë qytet është nën nivel.”

Kodi Etik i Gazetarëve porosit:

  • Provimi i të dhënave dhe saktësia janë imperativ moral i gazetarësisë, prandaj gazetari është i obliguar ta provojë informacionin prej sa më shumë burimeve, të paktën prej dy burimeve të pavarura.

  • Gazetari duhet të sigurojë “palën e dytë”, respektivisht t’u jep mundësi të dy palëve të interesuara të produktit gazetaresk ta shprehin qëndrimin e tyre. Kjo edhe më tepër vie në shprehje kur gazetari shpreh dyshime ose akuza ose kur dikush është objekt i sulmit apo kritikës.

  • Gazetari duhet të bëjë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.

E pakta që autori mund t’ju ofronte lexuesve do të ishin fotografitë, me të cilat do të dëshmohej se po shkatërrohet pasuria natyrore e Strugës, ashtu siç pretendohet. Në fakt, teksti është i shoqëruar me tre fotografi që nuk kanë lidhje me këtë. Mbetet shumë e paqartë se pse janë përdorur dhe cili është autori i tyre. Madje, fotografitë nuk përmenden fare në tekst. “Shpëtim” për autorin, që së paku të justifikonte pohimet për ankesat e qytetarëve, mund të ishte një anketë me qytetarët në rrugë, gjë që nuk është realizuar.

Është e thjeshtë të përfundohet se teksti është tendencioz, i bazuar vetëm në komente personale dhe me dëshmi të pamjaftueshme për t’ia mbushur mendjen lexuesit.


Ky recension është përgatitur nga kuadër të Projektit të USAID-it për përforcimin e mediumeve në Maqedoni – Komponenta Shërbimi për verifikimin e fakteve nga mediumet, që implementohet nga fondacioni Metamorfozis.. Ky recension është mundësuar me përkrahjen e Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar (USAID). Përmbajtja e analizës është përgjegjësi e autorit dhe nuk i paraqet qëndrimet e fondacionit Metamorfozis, USAID-it ose të qeverisë së SHBA-ve. Për më tepër informata për punën e USAID-it në Maqedoni, ju lutemi vizitoni ueb-faqen e USAID-it: (http://macedonia.usaid.gov) dhe faqen e USAID-it në Facebook: (www.facebook.com/USAIDMacedonia).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button